|
Qeveria shqiptare kundërshton kreun ODIHR-it | |||||||||||||||||||||||
Misioni i OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve, ODIHR, thotë se qeveria shqiptare ka kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryetare të misionit vëzhgues ndërkombëtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Zëdhënësi i ODHIR-it Jens-Hagen Eschenbaecher tha në një intervistë për BBC-në në shqip se "qeveria shqiptare ka kundërshtuar emërimin tonë të kryetares së misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri." Zoti Eschenbaecher tha se arsye për kundërshtimin ndaj zonjës Glover është se ajo ka qenë kryetare e ODIHR-it gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve shumë të kritikuara të vitit 1996. Misioni i ODIHR-it i dënoi ato zgjedhje si jo të lira dhe të drejta dhe denoncoi ato që ai tha se ishin manipulime të bëra nga autoritetet. Procesi zgjedhor në vitin 1996 u bojkotua nga opozita. "Ky nuk është hapi i duhur," tha zëdhënësi i ODIHR-it. "Qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR-it, kjo është vetëm përgjegjësi e ODIHR-it," tha ai. Zyrtari i ODIHR-it tha për BBC-në se OSBE-ja nuk do ta ndryshojë kreun e misionit vëzhgues në Shqipëri, zonjën Glover, e cila tha ai, ka kualifikimin e duhur për të kryer këtë punë. Misioni i ODIHR-it do të vlerësojë zgjedhjet nëse ato përmbushin angazhimet e OSBE-së, standardet ndërkombëtare, si dhe ligjet e vendit. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||