Kryeparlamentarë të shtatë vendeve të rajonit të detit Adriatik dhe Jon janë takuar në Athinë, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ne theks në atë energjitik dhe në ndërtimin e autostradës që do të lidhë Kroacinë me Greqinë. Gjatë këtij takimi, kryetari i parlamentit kroat, Luka Babiç, në mikrofonin e BBC-së, ka thënë se hapësirat për bashkëpunim midis vendit të tij dhe Shqipërisë, janë rritur pas anëtarësimit të dy shteteve ballkanike në NATO. "Është e sigurt se anëtarësimi i Kroacisë dhe i Shqipërisë në NATO, është i mirëpritur për zhvillimin e marrëdhënieve të mira e miqësore ndërmjet të dy vendeve, që mendojmë se në vitet e ardhme do të jenë edhe më të mira. Ne kemi mundësi bashkëpunimi në ruajtjen e mjedisit e të detit Adriatik, në ndërtimin e autostradës Adriatik Jon, në menaxhimin e kapaciteteve enegjitike. Sa i përket inciativës Adriatik-Jon, jam i sigurt se do të ndihmojë zhvillimin e bashkëpunimit në një sërë fushash, si në mbrojtjen e mjedisit, përdorimin e potencialeve energjitike dhe veçanërisht të burimeve të rigjenerueshme të energjisë”, tha BBC-së, kryetari i parlamentit të kroacisë, Luka Babiç. Inciativa Adriatik-Jon u themelua në vitin 2000, si një kuadër bashkëpunimi dhe konsultimi i vendeve pjesëmarrëse, në fushat e ekonomisë, turizmit, transporteve, mbrojtjes së mjedisit, arsimit, kulturës, si dhe luftimit të krimit të organizuar. Vendet anëtare janë Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia.
| | |