BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 08 prill 2009 - 09:42 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Prognozë e zymtë për Greqinë

Arkiv
Greqia është përfshirë nga disa greva gjatë këtij viti
Numri i të papunëve në Greqi mund të shtohet me 200 mijë vetë deri në fund të këtij viti.

60.000 prej tyre nuk përjashtohet të renditen në listat e papunësisë deri në vjeshtë.

Paralajmërimi është bërë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Athinës, e cila ka mbështetur zbatimin e orarit të reduktuar me qëllim që të ruhen vendet e punës.

Sipas vlerësimit të publikuar nga presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Athinës, Konstandinos Mihalos, 134.662 ndërmarrje ndodhen në pikën më kritike, ndërsa 192.708 të tjera planifikojnë që të reduktojnë numrin e punonjësve.

“Nëse nuk marrim urgjentisht masa shtesë, në shtator do të kenë probleme shumica e ndërmarrjeve”, theksoi zoti Mihalos.

Sipas sondazhit, shumica dërrmuese e biznesmenëve që u anketuan, parashikojnë se do të duhen dy deri tre vjet për daljen nga kriza.

Vetëm 12% e të anketuarve mendojnë se kriza do të zgjasë deri në katër vjet.

Siç rezulton nga sondazhi në fjalë, tre sektorët që goditen më shumë nga kriza janë: turizmi, ndërtimet dhe tregtia.

Më pas vjen industria, ndërsa bankat dhe shërbimet renditen në vendet e fundit sa i përket pasojave nga kriza.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Athinës, është nismëtar i zbatimit në Greqi të orarit të reduktuar.

Ai e konsideron këtë si masë për të parandaluar pakësimin e numrit të punonjësve.

Por, ai ka theksuar se kjo masë duhet zbatuar mbi bazën e disa kritereve të sanksionuara, për të mënjanuar mundësitë e spekulimeve.

Nga ana tjetër, zoti Mihalos ka sugjeruar krijimin e një 'fondi solidariteti', nga i cili do të mbulohen pjesërisht paga dhe kontributet për siguracione të punonjësve që rrezikojnë të humbasin vendet e punës.

Sipas tij, paratë për këtë mund të gjenden në fondet e Bashkimit Europian, të destinuara për investimet kombëtare.

Sipas vlerësimit të biznesmenëve grekë, për aq kohë sa të vazhdojë kriza, janë të pakta gjasat për investime të rëndësishme, prandaj dhe një pjesë nga fondet komunitare mund të përdoren për fondin e solidaritetit që sugjerohet.

Në favor të javës katërditore të punës, por gjithmonë në marrëveshje me punëtorët, u shpreh të martën edhe presidenti i Ligës së Industrialistëve grekë.

Ai e quajti këtë si mënyrën më të mirë që një ndërmarrje të përballojë krizën aktuale ekonomike.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>