|
Hyn në fuqi Marrëveshja Shqipëri-BE | |||||||||||||||||||||||
Ka hyrë në fuqi të mërkurën Marrëveshja e Asociimit-Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Përmes kësaj marrëveshje, Shqipëria angazhohet për realizimin e një serie reformash politike dhe ekonomike, të cilat synojnë përafrimin me standartet e BE-së. Marrëveshja është nënshkruar në qershor të vitit 2006, hap ky që shënoi fillimin e procesit të Associim Stabilizimit me BE-në. Përmes këtij procesi, blloku synon të nxisë bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Reagime Korrespondenti i BBC-së në Tiranë thotë se në Shqipëri hyrja në fuqi e marrëveshjes shihet si një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit të vendit në BE. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn e ka mirëpritur hyrjen në fuqi të Marrëveshjes. Në një deklaratë për shtyp, z. Rehn ka thënë se ky moment shënonte fillimin e një epoke gjatë së cilës sfidat e Shqipërisë dhe detyrimet e saj ndërkombëtare do të jenë 'më të mëdha se më parë'. "BE do të vazhdojë të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit përmes procesit të Asociim-Stabilizimi, bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimit rajonal", thuhet më tej në deklaratë. Eksperti për çështjet europiane në Tiranë, Ditmir Bushati shpjegon se çfarë nënkupton hyrja në fuqi e marrëveshjes. BBC: Z.Bushati në fakt qytetarët shqiptarë janë të interesuar më së shumti për atë që është proçesi i pritshëm i heqjes së vizave me BE-në. Ka ndonjë lidhje kjo cilësi e re e marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, me vizat? Bushati: Proçesi i liberalizimit të vizave është një proçes që shkon paralel, por nuk është pjesë e MSA-së. Marrëveshja nuk e parashikon lëvizjen e lirë të personave dhe as lëvizjen e lirë të punonjësve, madje edhe lëvizja e punonjësve do të jetë objekt i marrëdhënieve dypalëshe nëpërmjet Shqipërisë dhe vendeve të ndryshme, anëtare të BE-së. Proçesi i liberalizimit të vizave i cili ka filluar që në 2003 në Samitin e Selanikut, është vendosur në një shinë tjetër që ka të bëjë me plotësimin e 42 standarteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. BBC: Përsa i përket dëshirës së autoriteteve në Shqipëri, për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ka diçka që lidhet me të, apo edhe kjo është një proçes paralel? Bushati: MSA nuk ka lidhje me dëshirën e një vendi për të aplikuar për statusin e vendit kandidat. Mund t'ju them që historiku për proçesin e integrimit njeh 3 kategori shtetesh si shtete të cilat kanë pritur përfundimin e MSA-së për të aplikuar më pas, shtete të cilat e kanë bërë kërkesën për antarësim përpara se MSA të hynte në fuqi këtu është rasti i Kroacisë, i Malit të zi dhe shumë vendeve të tjera dhe shtete të cilat dhe pa patur një marrëveshje MSA siç është rasti i Austrisë, Finlandës dhe Sllovenisë deri diku, kanë aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat. Pra, nuk ka një lidhje direkte. Fakti që vendet anëtare kanë shprehur vullnetin e tyre nëpërmjet ratifikimeve do të thotë që i kanë dhënë jetë nga pikëpamja politike dhe ligjore, këtij dokumenti shumë të rëndësishëm, por nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me kërkesën ose jo të antarësimit në BE. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||