Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka rikonfirmuar vendosmërinë e qeverisë që zgjedhjet e qershorit të jenë konform standardeve ndërkombëtare. Zoti Basha këto komente i bëri duke folur për BBC- në nga Brukseli para takimit të Treshes së Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë që ka për qëllim vlerësimin e përafrimit të vendit me BE-në. I pyetur nga gazetari Seladin Xhezairi se përse Tirana zyrtare zvarrit të bëj kërkesën zyrtare për vend - kandidat për në BE, ministri Basha tha: Ministri Basha: Ka dy gjëra. Së pari, nuk ka zvarritje të hedhjes së hapit tjetër. Çdo interpretim i tilllë është jo objektiv. Shqipëria ka ecur me ritmin e saj, e ndërgjegjshme për nevojën e zbatimit të reformave. Veçanërisht tre apo katër vite më përpara kur me të vërtetë progres-raportet për Shqipërinë nuk ishin me nota pozitive. Ndërkohë, janë bërë hapa shumë të mëdhenj përpara. Është shënuar një zhvillim i reformave të guximshme dhe është bërë një përparim i qartë, i shpejtë dhe i qëndrueshëm. Bazuar mbi këto arritje dhe mbi njohjen e këtyre arritjeve nga Bashkimi Evropian, ne jemi sot në hap të hedhjes së hapit tjetër. Pra, çdo pretendim se ne po e zvarrisim, apo kemi ndërmend ta vonojmë këtë hap, është i pavërtetë. BBC: Ka pasur spekulime të ndryshme, ndaj po ju pyes zoti Basha, a është këshilluar pala shqiptare që kërkesën ta bëj përpara ose pas zgjedhjeve të qershorit? Ministri Basha: Padyshim që zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë një rëndësi të veçantë edhe në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. Hapat që ka ndërmarrë maxhoranca, qeveria shqiptare, por dhe hapat e ndërmarrë nga gjithë klasa politike shqiptare, siç ishte reforma elektorale, janë shenja shumë të mira se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mund të zhvillohen nën kushtet e normalitetit të plotë, të garantojnë kështu lirinë dhe drejtësinë e tyre. Këto janë, padyshim, çështje që unë kam diskutuar edhe të hënën me zotin Olli Rehn, do të vazhdojë t'i diskutojë edhe sot (e martë) me Trojkën evropiane. Janë çështje të cilat Bashkimi Evropian dhe Shqipëria i diskutojnë në nivele të ndryshme të partneritetit, por nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me atë trajektore që Shqipëria ka përshkuar veçanërisht në vitetet e fundit dhe që çon natyrshëm drejtë ambicies për të hedhur hapin tjetër, atë të aplikimit për anëtarësim në BE. BBC: Zoti Basha, me gjithë zotimet e qeverisë suaj se zgjedhjet ardhshme do të jenë të lira e të ndershme, konform standardeve ndërkombëtare, opozita e majtë në Tiranë ka shprehur shqetësimin e vet për pamjaftueshmërinë e përpjekjeve të qeverisë për mbarëvajtjen e tyre. Çfarë mund të thoni? Ministri Basha: Retorika paraelektorale, konkrete apo abstrakte, është pjesë e zgjedhjeve, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në Ballkan, por kudo në botë. Megjithatë, duket qartë se përpjekjet e maxhorancës, të qeverisë shqiptare, për të bërë të mundër që aspektet kryesore që kanë çaluar në zgjedhjet e kaluar, siç është regjistri i votuesve apo pajisja e tyre me dokumente përkatëse të identifikimit, qofshin këto pasaporta apo letërnjoftimet elektronike të sapoprodhuara me një cilësi superiore evropiane, kanë ecur dhe do të vazhdojnë të ecin përpara. Dhe, të paktën nga ky aspekt mendoj se zgjedhjet e ardhshme do të kryhen në kushtet e një infrastrukture dhe të standardeve evropiane. BBC: Dhe, zoti ministër, prisni që në takimin me Treshen evropiane të hapet edhe çështja e ligjit të debatueshëm për pastërtinë e figurave? Ministri Basha: Kjë është një çështje që është diskutuar mjaft. Siç dihet tashmë ka pasur zhvillime. Ne e dimë qëndrimin e Komisionit Evropian, e dimë edhe qëndrimin e një numri të tjerë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. ashtu siç dihet edhe qëndrimi ynë i cili u vërtetua katërcipërisht edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria shqiptare mbetet e vendosur të respektojë plotësisht shtetin ligjor dhe rendin kushtetues. Në fakt është një mbrojtëse e vendosur e kësaj, por në të njëjtën kohë ne kemi bërë të ditur se ky ligj është i domosdoshëm dhe procesi për ecjen përpara në këtë drejtim nuk mund të ndalet. | | |