|
Maqedonia ratifikon marrëveshjen për vizat | |||||||||||||||||||||||
Parlamenti maqedonas pritet të miratojë ligjin për liberalizimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Kohë më parë ky ligj u bë tejet i diskutueshëm për shkak se autoritetet maqedonase thanë se ligjin për të huajtë do ta zbatonin edhe për shtetasit e Shqipërisë që nënkuptonte se shtetasit shqiptarë për hyrje në Maqedon vizat duhej t'i siguronin në Tiranë e jo në vendkalimet kufitare. Kjo i ashpërsoi edhe raportet në mesin e partnerëve të atëhershëm të koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE-së dhe PDSh-së. Por më pas, me ndërhyrjen edhe të faktorit ndërkombëtar, midis Shkupit dhe Tiranës u arrit marrëveshje për liberalizimin e regjimit të vizave. Ligji i ri mundëson që qytetarët e dy vendeve pa ndonjë procedurë të theksuar të mund të kalojnë nga njëri në shtetin tjetër. Sipas marrëveshjes, shtetasit e një vendi do të mund të qëndrojnë në vendin tjetër 90 ditë brenda një periudhe prej gjashtë muajve. Gjithashtu, parashikohet që banorët e zonave kufitare, 20 kilometra nga kufiri, do të mund të kalojnë në vendin fqinj vetëm me karta identiteti. Regjimi pa viza pasqyron marrëdhëniet e mira mes dy vendeve me mundësi të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Kjo gatishmëri u konfirmua edhe në takimin e fundit të presidetëve të dy vendeve, Branko Cërvenkovski dhe Bamiri Topi në Durrës. Deri tani Maqedonia dhe Shqipëria kanë zhvilluar një bashkëpunim të mirë fqinjësor, rajonal dhe më gjerë me angazhimet e tyre edhe në rrafshin e mbrojtjes dhe të sigurisë, si partnere serioze të NATO-s. Shqipëria tash gjendet një hap para drejtë NATO-s, ndërsa Maqedonia, për të aderuar në Aleancë, duhet të kapërcjejë mosmarrëveshjet me Greqinë fqinje lidhur me emrin kushtetues. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||