|
EULEX synon shtrirjen në të gjithë Kosovën | |||||||||||||||||||||||
Pak javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një numër i vogël i pjesëtarëve të misionit të BE-së, kanë arritur të hapin zyrën në Prishtinë. Misioni i BE-së, që është paraparë me planin Ahtisaari dhe me vendimin e Brukselit, duhet të përqëndrohet në fushën e policisë dhe të drejtësisë. Në përbërje të tij do të jenë 1800 policë, gjykatës e prokurorë. Por tash për tash thuhet se vetëm 20 syresh kanë arritur të vendosen në pjesën jugore të Kosovës. Zyrat e misionit të BE-së në veri janë mbyllur pas kundërshtimeve të fuqishme të serbëve të Kosovës dhe të Beogradit zyrtar për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë. Por, shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon, tha të enjten në Prishtinë se ky mision do të shtrihej në të gjithë territorin e Kosovës dhe qëllimi i tij ishte puna e përbashkët me të gjitha komunitetet. Zoti de Kermabon ka thënë se pjesa e parë e misionit të tij ka arritur dhe se puna e tij do të fillojë pasi të jetë vendosur i gjithë misioni. Sipas tij, misioni do të përqëndrohet në vendosjen e rendit dhe të ligjit dhe në ndihmën për institucionet e Kosovës. "Rendi dhe ligji janë baza të rëndësishme në ndërtimin e një shoqërie demokratike, dhe ne duhet ta përmirësojmë gjendjen në Kosovë, mbi bazën e pronësisë së vendorëve dhe përgjegjësisë së institucioneve kosovare, ndërkohë që misioni EULEX do t'i vëzhgojë dhe ndihmojë këto institucione", tha zoti de Kermabon. Ai tha se misioni i EULEX-it do të përqëndrohet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në ndihmën për institucionet e Kosovës në fushën e policisë dhe drejtësisë. Zoti de Kermabon, që ka arritur në Prishtinë pas qëndrimit në selinë e OKB-së në New York për të koordinuar vendosjen e misionit që do të udhëheqë, ka thënë se do të punojë për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet. Autoritetet kosovare ndërkaq, i kanë ofruar gjithë ndihmën dhe përkrahjen e tyre misionit të ri në Kosovë. Por, ato kanë kërkuar nga ai shtrirjen e misionit të Bashkimit Evropian në të gjithë territorin kosovar. Ndërsa serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar i kanë bërë me dije BE-së se autoriteti i vetëm për ta në Kosovë është ai i OKB-së, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ata kanë refuzuar që të bashkëpunojnë me misionin e BE-së, të cilin e kanë cilësuar si përkrahës të pavarësisë së Kosovës. Një zyrë e misionit që ishte paraparë të hapej në veri, është mbyllur megjithëse në këtë pjesë të Kosovës, përveç pranisë ushtarake dhe policore ndërkombëtare, nuk ka asnjë institucion civil që funksionon. Analistët thonë se misioni i BE-së do të ketë ende probleme deri në vendosjen e tij të plotë këtu. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||