|
UNMIK-u i kërkon Serbisë respektimin e 1244-s | |||||||||||||||||||||||
UNMIK-u ka kërkuar nga Serbia të ndërmarrë një varg masash për të siguruar respektimin e rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të njejtën kërkesë për respektim të rezolutës ia shtroi UNMIK-ut të martën qeveria e Serbisë. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, tha të mërkurën se Serbia duhet të respektojë zonën e ndarë doganore në Kosovë dhe të ndihmojë UNMIK-un për rivendosjen e shërbimit doganor në dy pikat kufitare, të cilat u shkatërruan nga protestuesit serbë dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zoti Ivanko po ashtu theksoi se në përputhje me rezolutën 1244, Serbia duhet të zvogëlojë ndihmën e saj për strukturat paralele serbe si dhe të ndihmojë pjestarët serbë që të kthehen në Shërbimin Policor të Kosovës, të cilin e braktisën në shenjë mospajtimi me pavarësinë e Kosovës. Reagimi i UNMIK-u pason deklaratën e ditës së martë të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili tha se vetëm me respektimin e plotë të rezolutës 1244 mund të parandalohet përkeqësimi i gjendjes në Kosovë. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, tha se administrata ndërkombëtare pajtohet plotësisht me këtë deklaratë të zotit Jeremiq, por kërkoi nga Beogradi zyrtar që me veprimet e tij të dëshmojë se qëndron prapa një deklarate të tillë. Serbia e mbështetur nga Rusia pretendon se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, ndërsa të kundërtën e pohojnë autoritetet në Prishtinë si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve evropiane që kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||