 | | | Krasniqi shprehu mirënjohjen ndaj Shqipërisë për mbështetjen për pavarësinë e Kosovës. |
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që prej të djelës është në të parën vizitë zyrtare në Shqipëri ku po merr mbështetje të plotë nga Tirana zyrtare në rrugën e integrimit të Kosovës. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, tha se ashtu si kuvendi i vendit të saj ka patur mbështetjen e kuvendeve të tjera në rrugën e integrimit, ashtu do ta ndihmojë ai Kuvendin e Kosovës për të ecur përpara në këtë sfidë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, tha se diplomacia shqiptare do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehu mirënjohjen për Kuvendin dhe gjithë intitucionet e Shqipërisë për mbështetjen dhe lobingun e bërë për pavarësinë e Kosovës. Zoti Krasniqi pritet të marrë pjesë të hënën në një forum për Kosovën në të cilin pritet të jenë të pranishëm edhe drejtues të shqiptarëve të Maqedonisë. |