BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 19 shkurt 2008 - 12:20 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Maqedonia e pashqetësuar nga pavarësia
Pamje e Parlamentit të Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë
Nuk ka vend për shqetësim të qytetarëve të Maqedonisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka thënë shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovski.

Qeveria maqedonase po i përcjell me kujdes zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe do të reagojë konform interesave shtetërorë dhe të qytetarëve të saj, ka thënë Milloshovski.

Ndërsa opozita maqedonase ka kërkuar nga qeveria që të ndërtojë qëndrim të qartë rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovski, i ka garantuar qytetarët e Maqedonisë se nuk ka vend për “shqetësime pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pasi situata është nën kontroll. Maqedonia ka kapacitete dhe aftësi që të përballet me situatën e re të krijuar”, ka thënë Milloshosvki.

Sipas tij çështje parësore për qeverinë, sa i përket marrëdhënieve me Kosovën mbetet çështja e përkufizimit të kufirit mes dy vendeve.

"Dinamika e përkufizimit të vijës kufitare do të jetë konform planin të zotit Ahtisari, pasi kjo çështje është paraparë në këtë dokument. Ne presim që ky plan, të respektohet me besnikëri dhe kjo mendoj së është zgjidhje e mirë", thotë shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Milloshovski.

Ministri Milloshovski e anashkaloi përgjigjen nëse njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë do të kushtëzohet me zgjidhjen paraprake të çështjes së kufirit, siç ka deklaruar ditë më parë presidenti, Branko Cërvenkovski.

Opozita maqedonase ka kërkuar që këtë dilemë ta zgjidhë kabineti i kryeministrit Nikolla Gruervskit. Opozita kërkon qëndrim më të qartë të qeverisë, sidomos tash pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

"Republika e Maqedonisë, për dallim nga vendet tjera që cilat do ta njohin pavarësinë e Kosovës ka specifikinën e vet, pasi jemi fqinjë të parë dhe nuk e kemi të shënuar vijën kufitare. Kjo objektivisht mund të rrezikohet nëse qeveria e pranon pavarësinë e Kosovës, pas demarkacionit të kufirit", thotë ish-kryeministri Vllado Buçkovski.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në pushtet, Menduh Thaçi, ka thënë se Maqedonia së shpejti do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

"Unë e di momentin dhe datën, por është një çështje e diskrecionit mes qeverisë dhe në kooperim me bashkësinë ndërkombëtare. Ju siguroj se Maqedonia do ta njohë pavarësinë e Kosovës", ka thënë Menduh Thaçi.

Grupi parlamentar i partisë opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, me një letër drejtuar presidentit, qeverisë dhe parlamentit ka kërkuar që Maqedonia ta pranojë menjëherë pavarësinë e Kosovës.

"Në bazë të realiteteve të reja, në frymën e fqinjësisë së mirë, në emër të perspektivës euroatlantike të vendeve tona, në emër të paqes, stabilitetit dhe ardhmërisë së rajonit, ne deputetët e BDI-së ju propozojmë dhe ju ftojmë të ndërmerrni të gjitha veprimet e duhura që shteti ynë ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur", tha Xhevat Ademi.

Autoritetet zyrtare në Shkup kanë deklaruar se Maqedonia nuk do të jetë nga shtetet e para që do të njohin pavarësinë e Kosovës, por do ta ndjekë rrugën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>