|
Hartohet deklarata e pavarësisë | |||||||||||||||||||||||
Krerët e institucioneve të Kosovës dhe të tri partive opozitare pritet të finalizojnë këtë javë deklaratën për pavarësinë e Kosovës që do të lexohet në Kuvend. Një anëtar i grupit për hartimin e deklaratës për pavarësi, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i ka thënë BBC-së se deklarata mbështetet në vullnetin e popullit shumicë për pavarësi dhe përmes saj do të bëhet thirrje për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Violeta Hyseni bisedoi me z.Isufi. BBC: Z.Isufi a është gati deklarata për pavarësinë e Kosovës? Isufi: Ende janë duke punuar grupet të cilat janë në përgatitje të të gjitha elementeve, të cilat e përcjellin pavarësinë e Kosovës dhe deklarata është duke u përgatitur. BBC: Kur pritet të finalizohet deklarata për pavarësinë? Isufi: Kjo do të bëhet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm dhe jemi në hapat e fundit të përfundimit të gjithë procesit. BBC: Çfarë do të përmbajë deklarata? Isufi: Do të përmbajë vullnetin politik të popullit të Kosovës, kërkesën për njohjen ndërkombëtare dhe po ashtu do të ketë në përmbajtjen e saj zbatimin e planit të Ahtisarit. BBC: A përmban ajo elemente të deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990? Isufi: I përmban të gjitha elementet që kanë sjellur deri te shtetësia e Kosovës. BBC: Z.Isufi, kush janë njerëzit që po punojnë në hartimin e kësaj deklarate? Isufi: Janë grupet punuese, të cilat nuk janë vetëm për deklaratën, por janë edhe për simbolet, kushtetutën dhe për të gjitha elementet të cilat kanë të bëjnë me përfundimin e një procesi të gjatë. BBC: Me deklaratën e pavarësisë së Kosovës, a do të kërkoni edhe vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian apo vetëm njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës? Isufi: Bashkimi Evropian përmes EULEX-it veç po instalohet në Kosovë në kuptimin formal dhe kjo do të jetë në të njejtën kohë shprehjke e bashkëpunimit të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare për të arritur deri te qëllimi final në integrimet e reja në Evropë. BBC: Pra, nuk do të ketë një ftesë zyrtare për Bashkimin Evropiane përmes kësaj deklarate që të vijë në Kosovë? Isufi: Edhe ashtu misioni është i përcaktuar dhe ne e mirëpresim ardhjen e tij. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||