|
"Pavarësia i jep fund ndikimit të Serbisë" | |||||||||||||||||||||||
Ministri për arsim në qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka thënë BBC-së se pavarësia e Kosovës do t'i japë fund çdo lloj ndikimi të Serbisë në Kosovë. Deklarimi i zotit Hoxhaj ka pasuar përplasjet e fuqishme në Beograd, pas qëndrimit të BE-së për të dërguar një mision të tij në Kosovë dhe pas mosgatishmërisë së Serbisë për të nënshkruar një marrëveshje politike me BE-në. Ministri në qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se koha e shpalljes së pavarësisë ka të bëjë me periudhën kur shtetet janë të gatshme që ta njohin subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe kjo, sipas tij, mund të ndodhë gjatë muajit shkurt. Arbër Vllahiu i kërkoi një vlerësim zotit Hoxhaj nëse zhvillimet e fundit në Serbi mund të kenë ndikime mbi procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Hoxhaj: Mendoj se pas rezultatit zgjedhor në Serbi, por edhe para shpalljes së tij, Kosova ka pasur një qartësi politike, e cila është përcaktuar nga qytetarët e saj dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërsa Serbia do të vazhdojë edhe më tutje dualizmin e saj politik, i cili do të përcillet edhe më tutje me një frymë radikale dhe properëndimore, dhe duket se do të jenë një realitet i jetës në Serbi për një kohë të gjatë. Sigurisht se të dyjat do të kenë shpeshherë ndikime negative në proceset politike në Kosovë, mirëpo vendimi për statusin përfundimtar të Kosovës, për pavarësinë e Kosovës, definitivisht do t'i japë fund çdo lloj sensi të Serbisë në Kosovë. BBC: Zoti ministër, a do të thotë kjo se qeveria e Kosovës është e gatshme që ta shpallë pavarësinë e saj, pavarësisht nga zhvillimet që mund të ndodhin ose mundësia e rënies së qeverisë në Serbi? Hoxhaj: Kjo ka qenë një çështje që e ka përcjellur Kosovën pothuajse në vazhdimësi. Pavarësisht prej asaj se çfarë ka ndodhur në Serbi, a kanë qenë regjime të profilit të Milosheviqit, apo regjime të pas Milosheviqit, a kanë qenë diktatoriale apo thuajse të orientuara kah perëndimi, kosovarët kanë ndjekur rrugën e tyre. Koha e shpalljes së pavarësisë ka të bëjë, mbi të gjitha, me kohën kur shtetet janë të gatshme që ta njohin subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe duket se ky do të jetë një realitet i cili gjatë muajit shkurt edhe mund të ndodhë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||