|
Bamir Topi për vizitë treditore në Kosovë | |||||||||||||||||||||||
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i shoqëruar me një eskortë prej 100 anëtarësh, nis një vizitë treditëshe në Kosovë. Kjo është vizita e parë e zotit Topi në Kosovë dhe kryhet në një moment historik për të ardhmen e vendit, në prag të shpalljes së pavarësisë. Diplomatë nga Tirana dhe Prishtina thonë se vizita e presidentit Topi në Kosovë flet për një realitet të ri të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete shumë të rëndësishme në rajonin e Ballkanit. Ardhja e presidentit Topi në Kosovë është konsideruar si një vazhdimësi e marrëdhënieve ndërinstitucionale mes dy vendeve. Shefi i zyrës së Shqipërisë, Arben Çejku i ka thënë BBC-së se kjo vizitë do t'i kontribuojë jo vetëm marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, por njëkohësisht edhe një realiteti të ri evropian. "Presidenti Topi edhe në mesazhet e mëparshme, por besoj që edhe gjatë vizitës së tij në Kosovë, do ta vërë theksin tek nevoja e një stabiliteti afatgjatë, tek nevoja e një zgjidhjeje të shpejtë për popullin e Kosovës, për statusin politik të Kosovës, për pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht edhe për marrëdhëniet ndër-etnike në Kosovë dhe më gjërë", tha zoti Çejku. Çmime dhe medalje Delegacioni, i cili do të shoqërojë Presidentin Topi, do të jetë i përbërë nga kabineti i tij qeveritar, parlamenti, opozita, përfaqësues të pushtetit lokal, të shkencës, akademisë, biznesit, kulturës e medias. Presidenti Topi do të dekorohet me çmimin "Doctor Honoris Causa", çmim që jepet nga Universiteti i Prishtinës për personalitetet që kanë dhënë kontribut në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë dhe kanë merita të veçanta në avancim të dijes, duke dhënë vlerat e tyre për ruajtjen e vlerave njerëzore. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, thotë se ky çmim i jepet Presidentit Bamir Topi, së bashku me kryeministrin Sali Berisha dhe ish-kryeministrin britanik Toni Blair, për kontribut të veçantë dhënë Kosovës dhe çështjes së saj. "Nga Shqipëria është i dyti, sepse këtë çmim deri tani e ka marrë shkrimtari ynë Ismail Kadare, dhe nga personalitetet politike shqiptare është rasti i parë që presidenti Topi dhe kryeministri Berisha marrin një çmim të tillë, për arsye që mund të nënkuptohen. E njëjta gjë vlen edhe për zotin Blair", tha rektori Hasani. Presidenti Bamir Topi do të shpallet qytetar nderi i Prishtinës dhe do t'i dhurohet medalja "Hyjnesha në Fron", e derdhur në ar. Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, thotë se ardhja e presidentit Topi së bashku me kryetarët e bashkive të Shqipërisë do të zgjerojë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë si dhe ndërtimit të insitucioneve të qeverisjes lokale. "Do të merremi vesh, do të hapim tema edhe lidhur me zhvillimet infrastrukturale, në zhvillimin e turizmit dhe të lëmive të tjera ekonomike me të cilat kemi interes të përbashkët", tha zoti Mustafa. 'Interesim në rritje' Nga ana tjetër, analisti Milazim Krasniqi thotë se vizita e një niveli kaq të lartë të Shqipërisë këtu është shenjë e një interesimi në rritje të Tiranës zyrtare për zhvillimet në Kosovë "Vizita e tillë tregon për një lloj kureshtjeje që ekziston edhe në Shqipëri në fushën e biznesit, të medias lidhur me zhvillimet në Kosovë. Personalisht nuk do t'ia faturoja gjithë atë delegacion vetë vizitës së presidentit, por një interesimi në rritje që ekziston në Shqipëri, qoftë për bashkëpunim ekonomik, kulturor, arsimor. Në këtë aspekt mendoj se është një vizitë gjithsesi pozitive", tha analisti Krasniqi. Ai vlerëson se Shqipëria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në procesin e pavarësimit të Kosovës. Milazim Krasniqi thotë se Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë si dy shtete fqinje. "Mendoj se këto bashkëpunime janë pozitive sepse, së pari, do ta heqin një akuzë të rreme që ka ekzistuar në disa qarqe antishqiptare se gjoja pavarësia e Kosovës është vetëm një hap drejt ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe krijimit të së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Asgjë e tillë nuk do të ndodhë, shtetet e Ballkanit do të bashkëpunojnë mes vete", vlerëson analisti kosovar, Milazim Krasniqi. | LOKALE Interes i veçantë për vizitën në Kosovë25 janar 2008 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||