|
Çështja e të zhdukurve plagë e pambyllur | |||||||||||||||||||||||
Familjarët e personave të zhdukur në Kosovë kanë shprehur bindjen se qeveria e re që do të udhëhiqet nga i ashtuquajturi "krah i luftës", do të bëjë më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Kryetari i Asociacionit të Familjarëve të Personave të Zhdukur, Haki Kasumi, tha se ndërtimi sa më shpejtë i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit është një domosdoshmëri e kohës. "Në kërkojmë që të përshpejtohen punët në konstituimin e Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës. Kërkojmë që çështja e të pagjeturve të konsiderohet si çështje me prioritet për qeverinë e re…", tha zoti Kasumi. Çështja e personave të zhdukur në Kosovë gjatë luftës mbetet një nga plagët më të mëdha të vendit që nga viti 1999. Procesi i zbardhjes së fatit të personave që mungojnë po shkon shumë ngadalë dhe është përcjellur me shumë vështirësi, kjo për shkak të politizimit të kësaj çështje. Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për zbardhjet e fatit të personave të zhdukur që prej tre vjetësh, por rezultatet kanë qenë të pakëta. Gjatë gjithë vitit 2007 është arritur të zbulohen dhe të identifikohen kufomat e vetëm 204 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës. Ndërkohë ende nuk dihet asgjë për fatin e rreth 2000 qytetarëve të tjerë të Kosovës, shumica prej të cilëve shqiptarë. Bajram Çerkini, i cili ka më shumë se tetë vjet që kërkon të birin, ka humbur shpresat se ai mund të jetë i gjallë. "Unë e di që djalin ma kanë marrë të gjallë, por nuk besoj që ma ka lënë gjallë regjimi serb i tashëm dhe i atëhershëm, por prej asaj dore që është marrë, kërkoj ta gjej një pjesë të tij. Nuk ka serb që më bind se ma ka ruajtur djalin të gjallë deri sot", thotë zoti Çerkini, i cili çdo ditë në ankth pret një lajm për fatin e birit të tij të zhdukur. Në një varrezë massive në Kosovë, Sevdije Frangu nga Kaçaniku, ka gjetur kohë më parë tri kufoma: atë të së bijës, të bashkëshortit dhe të atit të saj, të vrarë nga forcat serbe në vitin 1999. Ajo thotë se ndihet më e qetë dhe më e lehtësuar pasi ka gjetur eshtrat e më të dashurve të saj. "Është ndjenjë shumë e keqe kur e kërkon dikë dhe nuk mund ta gjesh. Kur e kam gjetur vajzën, bashkëshortin dhe babain jam ndier shumë më qetë dhe më mirë. Pas rivarrimit të tyre unë shkoj çdo herë dhe u çoj nga një lule në varr. Është shumë vështirë të mendosh gjithë natën që çdo zhurmë që e dëgjon, mos është personi që ti e kërkon", shprehet për BBC-në zonja Frangu. Haki Kasumi, kryetari i Associacionit të Familjarëve të Personave të Zhdukur, beson se bashkë me zgjidhjen e statusit të Kosovës, do të përshpejtohet edhe procesi për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. "Pikërisht statusi ndoshta ka qenë njëra prej pengesave që nuk ka lejuar që t'i vihet pikë ose të përshpejtohet çështja e personave të pagjetur. Shpresojmë se më zgjidhjen e statusit, institucionet tona do t'i kenë duart më të lira dhe do ta mbyllin këtë faqe të dhimbshme të historisë sonë të lavdishme", tha zoti Kasumi. Udhëheqësit shqiptarë dhe serbë i kanë dhënë fund bisedimeve ndërmjet tyre për statusin e Kosovës, por jo edhe atyre që kanë të bëjnë me ato që vlerësohen si çështje të interesit të përbashkët. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur pritet të jetë temë diskutimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit edhe pas shpalljes së pritshme të pavarësisë së Kosovës. Në këtë mes, roli i bashkësisë ndërkombëtare si ndërmjetësuese e bisedimeve do të jetë t'u bëjë presion palëve, në veçanti asaj serbe për të treguar vendndodhjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||