|
Reagime për rezolutën e parlamentit serb | |||||||||||||||||||||||
Zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë thonë se rezoluta e Kuvendit të Serbisë, e cila u miratua të mërkurën në mbrëmje, nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Zyrtarë të institucioneve vendase thonë se miratimi i rezolutës kundër pavarësisë së Kosovës në Kuvendin e Serbisë është vazhdimësi e politikës serbe ndaj Kosovës. Zëdhënësi i qeverisë në largim, Avni Arifi, tha se as edhe kjo rezolutë serbe, që është e treta brenda një viti, nuk mund të pengojë Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë. "Kjo rezolutë është edhe një indikator se qeveria e Serbisë, edhe më tutje po i anashkalon të gjitha marrëveshjet që i ka me bashkësinë ndërkombëtare, edhe me gjithë partnerët tjerë, edhe një herë po tregon se nuk është kontribues i paqes dhe i stabilitetit në rajon", tha zoti Arifi. "Rezoluta si kjo nuk e ndihmojnë as Serbinë, as rajonin dhe nuk janë asnjë hap për zgjidhjen e statusit të Kosovës por, përkundrazi, janë një nga provokimet e shumta që kemi pasur në periudhën e deritashme, siç ka qenë hapja e zyrës së qeverisë së Serbisë në veri të Mitrovicës dhe kërcënimet e llojllojshme që kemi dëgjuar", tha zëdhënësi i qeverisë se Kosovës, Avni Arifi. Politikani serb, Rangjell Nojkiq, thotë se rezoluta e Kuvendit të Serbisë për Kosovën është miratuar në kohën kur është shpallur vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi dhe, sipas tij, ajo ka për qëllim që të përafrojë qëndrimin e partnerëve të koalicionit qeverisës për Kosovën. "Rezoluta nuk mund të ketë ndikimin në statusin e Kosovës; ajo nuk është obliguese për bashkësinë ndërkombëtare, por për qeverinë e Serbisë dhe Ekipin Negociator të Beogradit. Përmes kësaj rezolute Beogradi është munduar të balancojë qëndrimin e vet për statusin e Kosovës", tha zoti Nojkiq. Ai tha se mbështet qëndrimin e Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës, por mendon se, pavarësisht statusit të Kosovës, Serbia duhet të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Alexander Ivanko, ka deklaruar se miratimi i rezolutës në Kuvendin e Serbisë nuk ka kurrfarë ndikimi në situatën në Kosovë. Ai tha se ajo që bën Kuvendi i Serbisë është punë e deputetëve serbë. "Sa i përket Kosovës, rezoluta nuk do të ketë kurrfarë ndikimi sepse Kosova është nën administrimin e Kombeve të Bashkuara", tha zoti Ivanko. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||