|
Ambasadori Mazi për kërcënimin serb për veto në OSBE | |||||||||||||||||||||||
Ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, Zef Mazi thotë se ka gjasa që Serbia të vërë veton mbi vazhdimin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë. I pyetur nga BBC se a ka gjasa për një veto nga ana e Serbisë, në rast se Kosova shpall pavarësinë, ish-ambasadori shqiptar në OSBE, zoti Mazi tha se çdo shtet anëtar në këtë organizatë ka të drejtën e vetos dhe, nëqoftëse nuk është në linjën e përgjithshme konsensuale qoftë edhe vetëm një shtet i vetëm, vendimi nuk mund te merret. Por zoti Mazi thotë se gjithashtu ka shumë gjasa që të mos lejohet të vendoset një veto e kësaj natyre, sepse kjo organizatë nuk i shërben vetëm një shteti, por të gjithë shteteve. "Nëse Serbia do të vendoste veton ndaj mosecurisë, ndaj mosprezencës së mëtejshme te OSBE-së në Kosovë, në fakt do të ishte në kundërshtim me linjën e organizatës, do t'i kundërvihej tërë organizatës dhe në të tilla situata asnjë shtet që është i pjekur mjaftueshëm, mendoj unë, nuk do të bënte gabime të kësaj natyre që t'i kundërvihej 55 shteteve të tjera. Unë besoj se Serbia e ka marrë tashmë këtë mesazh dhe nuk do ta bënte këtë gjë," tha ambasadori Mazi. Takimi me sekretarin e Jashtëm, Milliband Në intervistën për BBC-në, zoti Mazi foli edhe për takimin që kishte zhvilluar një ditë më parë me ministrin e Jashtëm britanik, David Milliband, në pritjen e organizuar për nder të trupit diplomatik në Londër me rastin e festave të fundvitit. Sipas ambasadorit Mazi, të gjithë ishin të mendimit se tani ka një kohezion më të madh, veçanërisht në rradhët e Bashkimit Evropian për çështjen e Kosovës. Ambasadori Mazi tha se ka rëndësi jo vetëm zgjidhja përfundimtare me qëndrim koheziv, por vetë strategjia e Bashkimit Evropian ka shumë rëndësi të jetë e tillë. "Shikohet si një domosdoshmëri që unioni të jetë i unifikuar rreth këtij problemi. Edhe ne mesa marrim mesazhe direkte nga ata që unë pata mundësi të takoj në mbrëmje që na takon ne shqiptarëve, veçanërisht klasës politike të Kosovës që të marrin veprime të përgjegjshme në këtë situatë, në koordinim të plotë me organizatat me forumet dhe veçanërisht me faktorin e rëndësishëm ndërkombëtar rreth këtij problemi," tha zoti Mazi. Paralajmërimet e Serbisë Duke komentuar paralajmërimet për një tensionim të situatës, në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, zoti Mazi tha se në Ballkan nuk ka më vend për gjëra të tilla. Ai i konsideroi si të kaluara në kohë, deklaratat e bëra nga disa udhëheqës të lartë. "Deklaratat mendoj se janë një tentativë e dëshpëruar për të dhënë një mesazh që ne jemi shumë të lidhur dhe që do të bënim gjithshka që është e mundur për ta kapërcyer këtë situatë përfshirë dhe përdorime të pakënaqshme të forcës. Por këto për mendimin tim janë vetëm akrobaci politike, të cilat nuk do të kishin vend," tha ambasadori Mazi. Sipas tij, NATO ka rreth 16-17 mijë trupa në Kosovë dhe nuk do të toleronte një acarim dhe përkeqësim të situatës dhe kjo do të ishte e dëmshme për vetë Serbinë, nëse do të ndërmerrte një hap të tillë. Përsa i përket deklaratës së presidentit Tadiç lidhur me kërkesën më të hershme që do t'i bënte gjykatës ndërkombëtare për këtë punë, nëse është apo jo legale, zoti Mazi mendon që të analizohet me kujdes e drejta ndërkombëtare me dokumentacionet që lidhen me Kosovën. "Çdo veprim ka tashmë një bazë legale, sepse vetë ekzistenca e Kosovës në pozicionin brenda Serbisë është po ashtu jo legale. Dhe po të marrim me rradhë që nga viti "92 e mbrapa deklarata zyrtare e komisionit të Badinterit thotë Republika Federative e ish-Jugosllavisë ka pushuar së ekzistuari qe do të thotë që bashkë me të të gjitha instrumentat juridike përfshirë dhe kushtetutën e vitin 1974 kanë gjithashtu pushuar se ekzistuari," përfundoi ambasadori Mazi. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||