|
Ekipi negociator pro zgjedhjeve në Kosovë | |||||||||||||||||||||||
Ekipi Negociator i Kosovës thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme gjatë vjeshtës është e domosdoshme, për të ruajtur legjitimitetin e institucioneve vendore. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve nuk duhet të shërbejë si arsye për shtyerjen e zgjidhjes së statusit. Megjithëse zgjidhja e statusit mbetet prioritet për udhëheqësit kosovarë, këta të fundit thonë se zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme duhet të mbahen këtë vit. Në takimin e sotëm, Ekipi Negociator i Kosovës ka vlerësuar se duhet të respektohen afatet ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, por kanë tërhequr vërejtjen se procesi zgjedhor nuk duhet të shërbejë si shkas për asnjë që ta shtyjë më tutje vendimin për statusin. Zgjedhjet lokale do të duhej të mbaheshin vitin e kaluar, por ato u shtynë deri pas statusit, me shpresë se e ardhmja e Kosovës do të përcaktohej në pjesën e parë të këtij viti. Ndonëse statusi i Kosovës vazhdon të mbetet i pazgjidhur dhe procesi ka mbërritur në pikën kritike, autoritetet e këtushme thonë se mbajtja e zgjedhjeve është e domosdoshme për të ruajtur legjitimitetin e institucioneve vendore. Anëtarët e Ekipit Negociator të Kosovës u pajtuan për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve këtë vit para udhëtimit të tyre në Uashington, ku të hënën do të takohen me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleeza Rice, nga e cila do të kërkojnë përshpejtim të zgjidhjes së statusit të Kosovës. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||