BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 16 korrik 2007 - 08:59 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Pritet data për raundin e katërt për president

Parlamenti i Shqipërisë
Në parlamentin shqiptar konferenca e kryetarëve pritet të vendosi sot për datën e raundit të katërt të votimit parlamentar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Pas raundit të tretë të mbajtur më 14 korrik në garë kanë mbetur kandidati demokrat Bamir Topi dhe kreu i liberaldemokratëve Neritan Ceka, partia e të cilit është në opozitë, ndërsa u skualifikua ish- udhëheqësi socialist Fatos Nano.

Kreu i maxhorancës së djathtë Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës për të marrë pjesë në votim dhe për të mos e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Por dalja e kandidaturës së kreut aleancist Neritan Ceka për postin e kreut të shtetit, veçanërisht mbështetja me 32 vota që ju dha në parlamentin shqiptar, duket se ka shkaktuar një përçarje në radhët e grupimit opozitar. Disa segmente të tij kanë kundërshtuar kandidaturën e zotit Ceka. Skënder Gjinushi kreu i PSD tha se Ceka nuk është kandidat për president. "Ai është fitili i topit dhe fitili digjet," tha ai.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Ben Blushi nga ana e tij është shprehur se opsioni i vetëm për daljen nga kriza janë zgjedhjet e parakohshme.

Ndërkaq kreu i LSI Ilir Meta ka vlerësuar figurën e zotit Ceka dhe e ka quajtur kandidaturën e tij për postin e kreut të shtetit si mundësinë e vetme për arritjen e një konsensusi. Ai u ka bërë thirrje partive të opozitës të lënë mënjanë ato që ai i ka quajtur xhelozi partiake, ndërsa maxhorancës i ka kërkuar të tërheqi kandidaturën e zotit Topi.

Deri në datën 24 korrik kur mbaron mandati i presidentit aktual Alfred Moisiu, do të duhet të mbahen edhe dy raunde votimi për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Por nga zhvillimet e deritanishme një gjë e tillë duket e vështirë. Sipas kushtetutës shqiptare pas 60 ditëve në vend do të duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>