|
Protesta nëse zvarritet zgjidhja | |||||||||||||||||||||||
Në Kosovë paralajmërohen protesta nëse zvarritet më shumë zgjidhja e statusit të Kosovës nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Në Nju Jork vazhdojnë diskutimet në nivel ekspertësh për projekt-rezolutën e re për statusin e Kosovës. Rusia ka paralajmëruar se përfaqësuesi i saj nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Moska zyrtare kundërshton propozimin amerikano-evropian që i hapë rrugën pavarësisë së Kosovës. Në Prishtinë janë shtuar pakënaqësitë për shtyrjen e zgjidhjes së statusit. Pas paralajmërimit për protesta këtë javë nga lëvizja Vetëvendosje, edhe shoqatat e dala nga lufta kanë deklaruar se nuk do të heshtin nëse do të ketë zgjatje pa afat të vendimit për statusin. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së ish-UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Abdyl Mushkolaj thotë se statusi është shtyrë disa herë dhe tani është koha që të thuhet përfundimisht kur do të qartësohet e ardhmja e Kosovës. "Jemi duke punuar për të bërë presion që çështjen e statusit të Kosovës ta afatizojnë ndërkombëtarët, e nëse jo, atëherë si veteranë të luftës jemi të detyruar që vetë ta afatizojmë dhe ta mbajmë premtimin e dhënë," tha zoti Mushkolaj në një intervistë për BBC-në. Moska ka kundërshtuar projekt-rezolutën e fundit amerikano-evropiane që parasheh hyrjen në fuqi të planit të Ahtisarit në qoftë se Prishtina dhe Beogradi nuk arrijnë marrëveshje kompromisi gjatë 120 ditëve të ardhshme. Sipas përfaqësuesit rus në OKB, Vitaly Churkin, nuk ka arsye të bisedohet nëse gjërat shkojnë në atë mënyrë që plani i Ahtisarit të hyjë në fuqi automatikisht pas katër muajsh. Për Kosovën pritet të diskutojnë sot edhe ministrat e jashtëm të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në kuadër të një konference që do të mbahet në Paris lidhur me krizën në Darfur. Nga ana tjetër, udhëheqësit serbë në veri të Kosovës thonë se në asnjë mënyrë nuk do ta njohin pavarësinë e vendit. Një zyrtar i Këshillit Nacional Serb, Nebojsha Joviq, thotë se projekt-rezoluta e re nuk është zgjidhje e mirë, pasi i garanton Prishtinës se Kosova do të bëhet e pavarur. "Në qoftë se rezoluta e re do të nënkuptonte bisedime të vërteta dhe do t'i shtynte Prishtinën dhe Beogradin të gjejnë një zgjidhje kompromisi, do të ishte e mirëseardhur," tha zoti Joviq. "Për serbët çfarëdo forme e pavarësisë së Kosovës është e papranueshme," tha ai. Zoti Joviq ka tërhequr vërejtjen se shpallja e pavarësisë së Kosovës pa rezolutë në Këshillin e Sigurimit mund të çojë në një konflikt të ri ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||