BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 19 qershor 2007 - 17:17 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Rusia 'angazhohet për kompromis' rreth Kosovës
Presidenti rus Vlladimir Putin
Rusia propozon vazhdim të negociatave Beograd-Prishtinë
Shefi i zyrës ruse në Prishtinë, Andrei Dronov ka thënë se Rusia nuk është e gatshme të bëjë marrëveshje me Perëndimin për pavarësinë e Kosovës, por angazhohet për një zgjidhje kompromisi që do të ishte e pranueshme për Prishtinën dhe Beogradin.

Në një intervistë për BBC-në, ai tha se Rusia nuk do të pranojë asnjë zgjidhje, për të cilën nuk pajtohet Beogradi. Sipas tij, plani i kryenegociatorit Martti Ahtisari për statusin e Kosovës është plan i imponuar për Serbinë dhe si i tillë është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Diplomati rus, Andrei Dronov tha se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojnë pa kufizime kohore deri në arritjen e një kompromisi.

Ai nuk deshi të thotë nëse Rusia do të përdorë veton kundër pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit, por kërkoi nga Perëndimi që ta marrë seriozisht qëndrimin rus për statusin e Kosovës.

Me shefin e zyrës ruse në Kosovë, Andrei Dronov bisedoi korrespondentja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni:

BBC: Zoti Dronov, prej fillimit Rusia ka kundërshtuar planin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisari për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës, përderisa SHBA-të dhe BE-ja e mbështesin këtë zgjidhje. Përse pavarësia e Kosovës është e papranueshme për Rusinë?

Dronov: Nuk po flasim për pranueshmërinë e pavarësisë së Kosovës, por po flasim për një zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët në konflikt. Përndryshe zgjidhja e imponuar që është propozuar nga z.Ahtisari që është e papranueshme për Serbinë, do të thotë shkelje e ligjeve ndërkombëtare. Nuk ka përjashtime për këto ligje dhe Kosova nuk është rast për shkeljen e ligjeve ndërkombëtare. Prandaj qëndrimi rus është që palët duhet të arrijnë kompromis. Çfarë kompromisi do të jetë ne nuk e dimë, por duhet të krijojmë kushte për Serbinë dhe Kosovën që kjo të ndodhë.

BBC: Zoti ambasador, ne kemi parë gjatë 14 muaj negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë se kompromisi nuk është i mundur.

Dronov: Të jemi të sinqertë, këtë nuk e kemi parë. Tema kryesore e statusit është biseduar vetëm dy herë gjatë 14 muaj negociatash. Këtë nuk e shoh si qasje serioze. Ne kemi pasur shumë konflikte në botë më të komplikuara se sa Kosova dhe ato janë zgjidhur dhe palët kanë arritur kompromis. Në qoftë se nuk është arritur kompromisi, siç ka ndodhur në disa vende të Evropës, palëve u jipet pak kohë për të arritur marrëveshje në disa pika.

BBC: Cili është propozimi juaj atëherë? Cila është alternativa ruse për zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Dronov: Propozimi ynë është vazhdimi i negociatave për çështjen kryesore në mes palëve në konflikt, domethënë statusin politik, pa kufizime kohore. Ne duhet t'u japim kohë të dyja palëve që ta pranojnë realitetin dhe të arrijnë deri në një masë mirëkuptim dhe kompromis.

BBC: Zoti Dronov, si mund të arrijmë te rezultati nëse bisedimet vazhdojmë pa afat? Sa kohë do të zgjasnin këto bisedime, ndoshta do të duheshin vite?

Dronov: Kjo është çështje shumë serioze për mundësinë e ndarjes së territorit të një shteti sovran. Nuk mund të caktoni afate kohore për këtë, kjo është shumë serioze. Kjo ka të bëjë me jetën e shumë njerëzve, jo vetëm të kosovarëve, por edhe të serbëve. Bëhet fjalë për shtetin e tyre dhe nuk mund të caktohen afate me javë, muaj apo gjysmë viti. Këto çëshje nuk zgjidhen me afate kohore.

BBC: Çfarë ndryshimesh dëshironi të bëhen në planin e z.Ahtisari?

Dronov: Plani është i papranueshëm. I vetmi ndryshim është që zgjidhja që do të propozohet duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët. Zgjidhja që ka propozuar Ahtisari është e papranueshme për Beogradin dhe thënë sinqerisht ka shumë arsye për këtë. Ne mendojmë se plani është i njëanshëm dhe nuk është i drejtë.

BBC: Serbia dëshiron që Kosova të qeveriset nga Beogradi, Prishtina nuk do të pranojë këtë. Prapëseprapë do të kishim një zgjidhje që do të imponohej për njërën ose palën tjetër. A do ta pranonit një zgjidhje të imponuar për Prishtinën që do t'a linte Kosovën nën Serbi?

Dronov: Duke gjykuar në bazë të asaj që po thotë Beogradi, nuk ka qëllime që Serbia të qeveris me Kosovën siç kishte bërë në kohën e Millosheviqit. Serbia është e gatshme t'i ofrojë shumë kompetenca qeverisë lokale, por është e interesuar të ruajë integritetin territorial. Prishtina nuk do të pranonte asgjë nga ajo që ishte para vitit 1999 dhe kjo është shumë e kuptueshme.

BBC: Po nuk do të pranonte as të jetë pjesë e territorit të Serbisë?

Dronov: Kjo do të thotë se zgjidhja është diku në mes të këtyre dy qëndrimeve.

BBC: Si për shembull?

Dronov: Nuk jam në gjendje të përgjigjem për këtë. Kjo është një punë që u takon të dyja palëve në bisedime të drejpërdrejta ndërmjet tyre.

BBC: Zoti Dronov, komentet e ditëve të fundit të bëra nga presidenti amerikan, George Bush se Kosova duhet të fitojë pavarësinë duket që kanë ngritur tensionet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. A shihni hapësirë për arritjen e kompromisit ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.

Dronov: Nuk jam i gatshëm të bisedoj për marrëveshje për pavarësinë e Kosovës. Jam i gatshëm të bisedoj për një zgjidhje kompromisi për statusin dhe mendoj se kjo është e mundur. Bashkësia ndërkombëtare ka treguar se kur ka vullnet të mirë politik, gjërat mund të lëvizin përpara, sidomos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ditëve të fundit kemi parë përparime në një çështje që është dukur e pazgjidhur, siç është vendosja e sistemit mbrojtës raketor në Evropë. Propozimi i presidentit Putin në samitin e G8-s ka qenë interesant dhe kolegët amerikanë po e diskutojnë tani këtë propozim. Pra çështjet mund të zgjidhen edhe në rastet më të komplikuara.

BBC: Zoti Dronov, presidenti francez Nikolac Sarkozy propozoi që t'i jipen edhe gjashtë muaj Prishtinës dhe Beogradit për të punuar së bashku dhe nëse pas këtij afati nuk arrihet kompromis, Rusia të mos bllokojë pavarësinë e Kosovës. Si e shihnu ju këtë propozim?

Dronov: Nuk mendoj se nëse njëra palë e di që nëse negociatat dështojnë, ata do të fitojnë në fund. Kjo do të jetë periudhë e pritjes gjashtëmuajshe dhe në fund do të thuhet kemi dështuar, tani e kemi atë që kemi dëshiruar. Mendoj se kjo nuk është zgjidhje që do të funksiononte.

BBC: Rusia është anëtarja e vetme në Këshillin e Sigurimit që ka kërcënuar për të bllokuar planin për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës. A do ta përdorni veton në qoftë se nuk arrihet marrëveshje ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit?

Dronov: Nuk do të them çka do të ndodhë, ne e kemi thënë qëndrimin tonë. Zgjidhja që nuk do të jetë e pranueshme për Beogradit, nuk do të pranohet as për ne. Qëndrimi ynë është i njejtë prej fillimit dhe ne këtë ua kemi thënë partnerëve tanë. Qëndrimi ynë është logjik, bazohet në ligjet ndërkombëtare dhe partnerët tanë duhet ta marrin këtë shumë seriozisht.

BBC: Pra ju jeni të gatshëm të bllokoni zgjidhjen edhe në qoftë se anëtarët tjerë të Këshillit të Sigurimit do të votojnë për ose do të abstenojnë?

Dronov: Nuk do të komentoj çfarë do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit. Ne preferojmë të mos flasim për veto, por të gjejmë zgjidhjen dhe kompromisin.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>