|
Rindizet beteja elektorale për Tiranën | |||||||||||||||||||||||
Është rindezur beteja elektorale për Tiranën me premtimet dhe kundershtimet e kandidatëve kryesor për kryetar bashkie. Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, njëherazi kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, premton ndërtimin dhe rikonstruksionin e të gjitha rrugëve të kryeqytetit, ndërtimin e 10 shkollave të reja dhe të 400 banesave të reja, ujë 24 orë për të gjithë kryeqytetin, shtim të linjave të transportit publik si dhe një sërë masash të tjera që, sipas tij, do ta bëjnë Tiranën akoma më evropiane. Ai premton strehimin e tre mijë të pastrehëve, si dhe 7 metra katrorë gjelbërim për person deri në fund të mandatit të tretë. Por demokratët kundërshtojnë arritjet dhe programin katërvjeçar të shpallur nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës. Duke i kthyer metrat katrorë në kilometra demokratët thonë se ai ka shtruar vetëm 18 km rrugë në vit dhe me kosto 40 përqind më të lartë. Tirana, sipas kandidatit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, ka marrë shtatë fish më shumë fonde prej vitit 2002 por nuk i ka shtatëfishuar shërbimet. Demokratët thonë se Tirana ka katër herë më pak gjelbërim se sa kryeqytetet e tjera të botës dhe 11 fusha sporti më pak se vetë Tirana e vitit 2000. Beteja per Tiranën vlerësohet nga analistët si beteja kryesore dhe madje përcakuese e fatit të zgjedhjeve në të gjithë vendin. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||