|
Për referendumin serb dhe statusin e Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Disa mijëra qytetarë serbë kanë mbajtur të ejten një miting në Mitrovicë, i cili është organizuar nga Këshilli Nacional Serb e ku kanë marrë pjesë edhe partitë më të mëdha politike të Serbisë. Mitingu është zhvilluar në prag të referendumit të Serbisë për kushtetutën. Në fakt, sipas hartuesve të saj, Kosova cilësohet si pjesë e Serbisë. Ky miting që është mbajtur vetëm pak metra larg urës që ndanë qytetin, ka shërbyer për të ringjallur ndjenjat nacionaliste të serbëve të tubuar, se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë. Me thirrjen per pjesëmarrje në referendum, kanë deklaruar folësit e këtij mitingu, përcaktohet edhe ardhmja e Kosovës. "Të kthehemi nga e ardhmja dhe të mbrojmë Kosovën dhe Metohinë dhe t'ju themi atyre që duan të na e marrin me dhunë se Kosova ka qenë dhe është e Serbisë dhe se populli serb qëndron pas saj,"- ka deklaruar Aleksandër Popoviq, nënkryetar i Partisë Demokratike të Serbisë. "Askush nuk mund të na e imponojë pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë si zgjidhje, prandaj ju ftoj të dilni të votoni pro kushtetutës së re, sepse nëse e humbim Kosovën e kemi humbur edhe Serbinë dhe e kemi humbur edhe veten tonë,"- ka thënë një përfaqësues i Partisë Socialiste. Qindra pjesëmarrës të këtij tubimi, kanë brohoritur edhe emrin e gjeneralit famëkeq serb të Bosnjës, që ndiqet nga Gjykata e Hagës për krime lufte, Ratko Mlladiq. Referendumi per kushtetutën e Serbisë do të mbahet në këtë fundjavë, dhe pritet që për të të deklarohen mbi 6.5 milionë qytetarë me të drejtë votes. Votimet për referendumin për kushtetutën e Serbisë do të hapen edhe në vendbanimet serbe në Kosovë. UNMIK-u ka thënë se nuk do të pengojë votimet për kushtetutën, por nuk do t'i mbështesë ato. Rrjedhimisht, ky referendum ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë. Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë kundër pjesës ku përmendet Kosova. Ka pasur edhe ide që si kundërmasë, Kosova të organizojë një referendum për vete, ku do të shpallej pavarësia e Kosovës, por ato nuk janë përfillur nga parlamenti. Mirëpo, pavarësisht nga përcaktimet serbe, Kosova dhe Komuniteti Ndërkombëtar, kanë qenë të thuaja të njëzëshëm në qëndrimet se ky referendum dhe kushtetuta e Serbisë nuk do të kenë asnjë ndikim për të ardhmen politike të Kosovës. Shumë të prerë në këtë kanë qenë përfaqësues të SHBA-ve dhe të Britanisë së Madhe, që vizituan Prishtinën. Frank Wisner, i dërguar i SHBA-ve për statusin, ka porositur se qëndimi i vendit të tij është që statusi të zgjidhet brenda vitit dhe që Kosova të ketë një territor unik dhe të pacoptuar, as në veri e as në jug të lumit Ibër. David Gowen, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, tha se vendi i tij angazhohet që statusi i Kosovës të zgjidhet brenda këtij viti. Ai tha se qeveria britanike e ka bërë të qartë se dëshiron një zgjidhje të negociueshme brenda këtij viti dhe është e përcaktuar ta mbështesë kryenegociatorin e caktuar nga Kombet e Bashkuara, Marti Ahtisari. Diplomati britanik Gowen, përjashtoi çdo mundësi që referendumi për kushtetutën serbe të ketë çfarëdo ndikimi në përcaktimin e statusit të Kosovës. "Mendoj se këto dy çështje janë krejtësisht të ndara nga njëra-tjetra. Referendumi për kushtetutën është një çështje krejtësisht e ndarë nga statusi i Kosovës, prandaj mendoj se ai nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në procesin negociues,"- tha në Prishtinë ambasadori britanik David Gowen. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||