|
Meta: Pavarësia e Kosovës do ta ndihmojë Serbinë | |||||||||||||||||||||||
Pavarësia e Kosovës do të ndihmonte edhe Serbinë që të çlirohet nga e kaluara e saj dhe të përqëndrohet edhe ajo për të ardhmen e vet evropiane. Kështu ka deklaruar për BBC-në, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në fund të qëndrimit disa ditor në Londër. Zoti Meta mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare të organizuar nga Aleanca Ushtarake e NATO-s dhe Akademia Mbretërore Britanike e Mbrojtjes që iu kushtua mirëqeverisjes dhe sigurisë. Ish-kryeministri shqiptar pati takime me zyrtarë të lartë britanikë, përfshirë dhe ministrin e Shtetit për Evropë, Xhefri Hun. Me zotin Meta bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se ku ndodhet Shqipëria kur është fjala për qeverisjen e mirë. Zoti Meta: Çështja që u diskutua është një temë e cila në veçanti është interesante për vendet të cilat janë në tranzicion ose për vendet që janë në periudhën e pas konflikteve dhe ku mirëqeverisja është drejtpërdrejt e lidhur me sigurinë dhe anasjelltas. Në këtë drejtim Shqipëria është në kuadër të shumë angazhimeve për mirëqeverisje, të shumë nismave të proklamuara kundër korrupsionit, për zhvillimin e transparencës. Por, njëkohësisht është edhe larg atyre standardeve dhe premtimeve të bëra kohë më parë ose jo më shumë se një vit më përpara kur qeveria e re erdhi në pushtet. Tani mund të themi se pas kaq kohësh Shqipëria më shumë se sa mirëqeverisje zhvillon një retorikë politike e cila nuk jep shpresë se në këtë mënyrë standardet e mirëqeverisjes do të ecin përpara. BBC: Dhe, sipas jush, çfarë duhet bërë me qëllim që kjo sfidë të tejkalohet sa më parë? Zoti Meta: Ajo që duhet bërë është heqja dorë nga retorika politike, është braktisja e përdorimit të luftës së korrupsionit për qëllime politike. Është heqja dorë nga konfliktet e sforcuara me institucionet e tjera të pavarura nga ana e qeverisë dhe një luftë institucionale e bazuar në ligj dhe në bashkëpunim me instutucionet e tjera nga ana e qevrisë kundër korrupsionit. Dhe, një luftë e tillë sigurisht që do të kishte edhe mbështetjen e opozitës. BBC: Zoti Meta, gjatë qëndrimit këtu në Londër ju keni pasur takime edhe me zyrtarë britanikë, nga qeveria dhe opozita. Çfarë mund të thoni pas këtyre bisedimeve? Zoti Meta: Ishte kjënaqësi për të zhvilluar edhe disa takime të rëndësishme. Do të veçoja bisedën shumë të dobishme që zhvillova me ministrin e Shtetit për Evropë, zotin Xhefri Hun, si dhe me sekretarin e Jashtëm, në hije, të opozitës dhe ish-liderin e konservatorëve, zotin Viliam Heig. Në këto takime riafirmova vendosmërinë e Shqipërisë për t'ju bashkuar Evropës dhe standardeve të saj, angazhimin e opozitës në këtë drejtim, përpjekjet e veçanta që bën Lëvizja Socialiste për Integrim, si forcë konstruktive e cila integrimin evropian të vendit e ka prioritet madhor. Po ashtu u ndalëm edhe në disa çështje të rëndësishme, si për ne ashtu dhe për interesin e bashkëbiseduesve. Në radhë të parë në domosdoshmërinë e arritjes së atyre standardeve të dosmosdoshme që kërkohen për t'u cilësuar të ndershme zgjedhjet e ardhshme vendore, pasi Shqipëria tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe nuk mund të ketë asnjë jusitifikm, nuk mund të tolerohet asnjë parregullësi e cila cënon integritetin e zgjedhjeve dhe në këtë drejtim edhe ministri i Shtetit për Evropën bëri të qartë se standardi i zgjedhjeve do të jetë përcaktues për ritmin dhe vazhdimin e integrimit evropian të Shqipërisë. BBC: Mësohet se nuk është anashkaluar as Kosova? Zoti Meta: Po, kemi diskuar me shumë interes lidhur me çështjen e Kosovës, për domosdoshmërinë e përcaktimit të statusit të saj final, pa vonesa për shkak të zhvillimeve të brendshme, qoftë edhe në Serbi, pasi unë e bëra të qartë dhe kam bindjen se pavarësia e Kosovës do ta ndihmojë edhe Serbinë që të çlirohet nga e kaluara e saj dhe të përqëndrohet për të ndërtuar edhe ajo të ardhmen e vet evropiane. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||