|
Qeveria shpall 'Shqipëria një euro' | |||||||||||||||||||||||
Një vit pas ardhjes në pushtet qeveria e djathtë e kryeministrit Berisha ka shpallur nismën e saj “Shqiperia 1 euro”. Ajo konsiderohet si një përpjekje për të realizuar një prej premtimeve më të rëndësishme elektoratit të saj, atë për rritjen e investimeve vendase dhe të huaja në Shqipëri. Deklarimin e kësaj nisme e bëri publike vet kryeministri Sali Berisha. 'Ne ta vazhdojmë përpjekjen tonë për të ndryshuar Shqipërinë në më të lirën dhe më të mirën për investorët e huaj dhe ata vendas. Do tu ofrohet toka me 1 euro, do tu ofrohet kualifikimi punëtorëve me 1 euro, uji teknologjik me 1 euro, shërbime të tjera të tëra me 1 euro, regjistrimi i biznesit me 1 euro, hyrja në Shqipëri me 1 euro.' Sigurisht reagimi parë për deklaratën e zotit Berisha erdhi nga politika. Ndërsa aleatët e tjerë përshëndetën opozita shfaq menjëherë dyshimet e saj. Kreu socialist, Edi Rama, tha se në Shqipëri mungon klima që duhet të joshë investitorët vendas dhe të huaj. 'Kryesorja dhe ajo që i mban larg jo investitorët e huaj, por që po alienon dhe sipërmarrjen vendase është klima. Ka një klimë antisipërmarrje e cila nuk shprehet thjesht në fjalimet kryeministrore apo në veprimet e qeverisë, por shprehet në mungesën e një sistemi garancish qe fillojnë që nga mungesa e garancive të sipërmarrësit në nivelin e mbrojtjes nga ligji, deri tek mungesa e garancive në nivelin e energjisë apo të ujit.' Debati ka nisur dhe në nivel lokal, pikërisht atje ku pritet ku kjo nismë të realizohet. Artur Kurti është kryetar i bashkisë së Kuçovës, përfaqësues i PS. Ai thotë se ende në Shqipëri nuk është zgjidhur çështja e pronës. 'Stimuli financiar në përgjithësi përballohet nga pushteti qendror, ndërsa njësitë vendore hapësirat i kanë më të kufizuara pasi dhe deri në këto momente akoma nuk është bërë transferimi i pronave shtetërore në prona publike, por dhe nëse po, kostua që përballojnë njësite vendore për ti ofruar investitorëve të huaj në kuadrin e 1 euro më duket pak e nxituar.' Por, për kryetarin e bashkisë së Elbasanit Adrian Turku, përfaqësues i maxhorancës zgjidhja e çështjes së pronës do të arrihet njëkohësisht me zgjidhjen e çështjeve të tjera. 'Është e vërtetë që pronat publike akoma nuk kanë përfunduar së kthyeri dhe së hipotekuari, por është një proçes që duke ecur paralelisht dhe me proçesin e privatizimit, me proçesin e kompnesimit të ish pronarëve njëkohësisht do të marri fund dhe kjo. Natyrisht unë nuk mendoj që për të pretenduar për një ecje të shpejtë duhet të presësh përfundimin e njërit proçes dhe të fillojë tjetri, kjo bëhet vetëm kur efekti është zinxhir, këto janë proçese që mund të ecin paralelisht për të zhvilluar ritme zhvillimi.' Të parët që e kanë përshëndetur këtë nismë të zotit Berisha janë njerëz të biznesit. Behar Malaj është një ndërtues i njohur në Shqipëri. Ai thotë ndër të tjera për BBC se industria e lehtë është ajo degë që duhet të përfitojë më shumë nga realizimi i kësaj nisme. 'Kjo është një nisëm për tu përshëndetur e cila duhet shoqëruar dhe me një paketë tjetër lehtësuese në mënyrë që të bëhet sa më atraktive dhe mendoj që është një nga format më të mira për të thithur dhe investimet e huaja dhe për të nxitur investimet vendase. Mendoj që kjo do ti japë një zhvillim të madh biznesit në Shqipëri. Unë do të propozoja kryesisht vitin e zhvillimt të industrisë së lehtë dhe përpunuese dhe kam parasysh që brenda një periudhe 2 – 3 vjeçare një pjesë e kapitaleve të angazhuara në ndërtim do të orientohen në këtë fushë, për shkak të ngopjes së tregut që po troket në derë.' Nga ana e saj qeveria po vazhdon punën për të mbështetur këtë nisëm. Ministria e bujqësisë, ushqimit dhe e mbrojtjes së konsumatorit ishte e para që bëri të njohur hapësirat që ajo vë në dispozicion. Zëvendësministri, Ndoc Fasllia, në intervistën dhënë BBC në Shqip tha se kjo hapësirë është rreth 130 mijë hektarë tokë. 'Janë të shpërndara në të gjitha qarqet e vendeve. Në Berat ka rreth 11 mijë hektarë të tilla. Ka në Elbasan rezultojnë rreth 11 mijë hektarë të tilla, në Fier rreth 5 mijë e dyqind hektarë, në Korcë rreth 25 mijë hektarë, në qarkun e Lezhës janë 2 mijë hektarë, në qarkun e Shkodrës 7 mijë hektarë, në të Tiranës 2 mijë hektarë, në atë të Vlorës 3 mijë e shtatëqind hektarë.' Një ndër preokupimet e qeverisë është dhe lufta kundër korrupsionit. Sipas këshilltarit të kryeministrit Dr. Selami Xhepa, kjo nismë do të synojë të minimizojë këtë fenomen aq të përfolur në Shqipëri. 'Parim i këtij shërbimi është: “i pari i ardhur, i pari i shërbyer”. Në besojmë që proçesi i përfitimit të kësaj lehtësie është automatik dhe nuk varet nga asnjë zyrtar për të gjykuar për të drejtën e dhënies apo mosdhënies të kësaj lloj lehtësie. Vetë mënyra se si do funkionojë ky sistem eleminon tërësisht shfaqjen e fenomeneve të korrupsionit.' Ndërkohë detaje të paketës “Shqipëria 1 euro” do të bëhen të njohura pas pak ditësh. Reagimet e deritanishme tregojnë për një debat të nxehtë përpara se ajo të miratohet nga parlamenti shqiptar. | LOKALE Gabriel Partos: Shqipëria një euro, iniciativë ambicioze05 shtator 2006 | Rajoni Interes në Britani ndaj "Shqipëria, një euro"15 shtator 2006 | Rajoni "Shqipëria një euro" mbështetet në Maqedoni15 shtator 2006 | Rajoni Sa e lehtë është të bësh biznes në Shqipëri?15 shtator 2006 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||