|
Moisiu: Ushtria jashtë zgjedhjeve | |||||||||||||||||||||||
Presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, në kuadër të takimeve në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, ka kërkuar nga Forcat e Armatosura të vendit që të mos përfshihen në aktivitete dytësore, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare. Këtë kërkesë ai e bëri në Durrës në një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, gjeneral-lejtnant Pëllumb Qazimi dhe drejtues të strukturave kryesore të ushtrisë. Në një komunikatën për shtyp nga zyra e Presidentit thuhet se "ka patur ankesa të shoqërimit që drejtuesit ushtarakë u bëjnë figurave politike në aktivitetet e tyre elektorale" ndonëse, thuhet në komunikatë, kjo mund të ketë qënë pa qëllim, ato nuk duhet të përsëriten më. Presidenti Moisiu ka theksuar se Kushtetuta dhe Ligji përcaktojnë Forcat e Armatosura si organ të depolitizuar që nuk kanë lidhje me partitë politike, me fushatat zgjedhore, me kandidatët apo me elementë të tjerë elektoralë. Kreu i shtetit ka kërkuar që ky mesazh të dërgohet edhe në nivelet e mesme dhe më të ulëta, në bazë, ku janë ushtarët. Nga ana e tij, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Pëllumb Qazimi, ka siguruar presidentin e vendit se ushtria është "ndarë përfundimisht nga mentalitetet e kaluara të shërbimeve politike" dhe, siç thuhet, ka informuar për masat e marra për të zbatuar Kushtetutën. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||