|
OSBE kërkon proces politik gjithëpërfshirës | |||||||||||||||||||||||
Kryesuesi i radhës i OSBE-së, Dimitrij Rupel, ka kërkuar nga kosovarët që të jenë të bashkuar gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës që pritet të hapen këtë vit. Zoti Rupel gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ka përcjellur mesazhin për vazhdimësinë e një situate të qëndrueshme gjatë ditëve në vijim. Ai tha se se Kosova gjendet në një fazë shumë të rëndësishme dhe bisedimet për statusin përfundimtar kërkojnë stabilitet, koncentrim dhe gjithëpërfshirje, përfshirë këtu edhe Beogradin. "Nuk mendoj se mund të gjejmë një zgjidhje të mirë të statusit të Kosovës pa Beogradin. Dikush mund ta provojë këtë por nuk do të jetë zgjidhje solide dhe afatgjatë," tha Dimitrij Rupel pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen. Ministri i jashtëm slloven pas takimeve të mbajtura me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ka deklaruar se bisedimet për statusin do të mund të kërkojnë edhe ndryshime të Kornizës Ligjore ndërkombëtare. Por zoti Rupel ka theksuar se ende nuk ka ardhur koha për të ndryshuar Rezolutën 1244, e cila, sipas tij, mbetet akti më i lartë Ligjor për Kosovën. "Kur të vijmë tek çështja e diskutimit të statusit të ardhshëm të Kosovës, dhe kjo është e mundshme vetëm kur standardet të dëshmohet se janë plotësuar tërësisht, atëherë na duhen disa ndryshime në Kornizën aktuale Ligjore," tha Dimitrij Rupel. Ai ka bërë me dije se përmbushja e standardeve do të shënojë një hap drejt ndryshimeve thelbësore për Kosovën. Aktorët kryesor që do të vendosin dhe do të definojnë të ardhmen e Kosovës, sipas tij janë Grupi i Kontaktit, OKB-ja, BE-ja dhe OSBE-ja. Kjo e fundit, tha ai, do që të sigurojë se procesi demokratik dhe ai i tranzicionit po kalon pa probleme. Ndërkohë të tre bashkëbiseduesit e tij të sotëm, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Kosumi dhe kryetari i Kuvendit Nexhat Daci kanë përsëritur qëndrimet e tyre se angazhohën për një Kosovë të pavarur dhe për respektimin e të drejtave të të gjitha bashkësive etnike. Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen ndërkaq tha se qytetarët dhe institucionet e Kosovës me maturinë që kanë treguar pas vetëdorëzimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Hagë, kanë bërë një hap përpara drejt vlerësimit pozitiv të standardeve dhe bisedimeve për statusin përfundimtar. "Nëse tri javët e fundit kanë qenë të vështira, 100 ditët e ardhshme do të jenë edhe më sfiduese sa i përket të arriturave në Kosovë," tha zoti Jessen-Petersen. Vizita e kryesuesit të radhës së OSBE-së, Dimitriji Rupel në Kosovë bëhet vetëm pak ditë pas krijimit të qeverisë së re të Kosovës dhe afro katër muaj pas marrjes së kryesimit të OSBE-së nga ana e Sllovenisë. Ajo poashtu realizohet në kohën kur shefi i misionit të OSBE-së në Prishtinë, Pascal Fieschi, po bëhet gati për t’u larguar pas afro tre vjetësh shërbimi në Kosovë. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||