|
Ambasadori Sparkes për dialogun me serbët | |||||||||||||||||||||||
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Andy Sparkes, ka shfaqur shpresën e tij se nuk do të ketë shtyrje ose “ngrirje” të procesit të dialogut, pas zhvillimeve të fundit në Kosovë. Në një intervistë me BBC-në, ambasadori Sparkes tha se dialogu mes Prishtinës e Beogradit është një mundësi historike që duhet të shfrytëzohet meqë, sipas tij, është i rëndësishëm për të dyja vendet dhe për rajonin. Ai tha se procesi i dialogut, në çdo rast, mund të marrë kohë për përgatitje dhe shfaqi shpresën e tij se ato do të vazhdojnë edhe nëse Kosova hyn në zgjedhje të parakohshme. Ambasadori Sparkes vlerësoi se Kosova ka hyrë në një periudhë të një paqartësie politike dhe tha se çështja e zgjedhjeve të parakohshme, ose shumë të hershme, hap çështjen nëse ato mund të organizohen me kohë dhe nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëhet gati. Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi një bisedë me zotin Sparkes dhe fillimisht e pyeti nëse Kosova po tregon pjekuri politike, pas dorëheqjes së presidentit dhe mundësisë për prishjen e koalicionit. Ambasadori Sparkes: Mendoj se çështjet që çuan drejt dorëheqjes së presidentit aktualisht demonstrojnë një lloj fuqizimi të institucioneve të këtij shteti të ri. Sipas Gjykatës Kushtetuese presidenti u gjet të ketë shkelur Kushetutën për shkak të mbajtjes së këtyre funksioneve të dyfishta. Ai e pranoi vendimin e Gjykatës dhe vendosi të jap dorëheqje nga detyra e presidentit dhe jo nga udhëheqja e partisë. Kjo natyrisht ishte zgjidhja e tij dhe me këtë ai ka treguar respekt për Gjykatën Kushtetutese si një arbitër i fundit i Kushtetutës së Kosovës dhe të institucioneve të vendit. Kjo është një gjë e mirë dhe për t’u përshëndetur. Prandaj nuk kemi një krizë kushtetuese, por kemi të bëjmë me një periudhë të një paqartësie politike derisa partitë të gjejnë së bashku daljen pasi presidenti ka dhënë dorëheqje. Por, këto gjëra ndodhin në të gjitha vendet demokratike në momente të caktuara, ne në Britaninë e Madhe kemi patur së fundi një situatë me të cilën nuk jemi mësuar kur nga zgjedhjet asnjëra nga partitë nuk fitoi shumicën në Parlament dhe për herë të parë në shumë vjet ne përfunduam duke negociuar një qeveri të koalicionit. Prandaj zhvillimet e panatyrshme në politikë janë normale për vendet demokratike por më e rëndësishmja është që institucionet e vendit kryen punën e tyre dhe janë respektuar. BBC: Por kjo situatë e parqartësisë, siç e quani ju, a po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme? Ambasadori Sparkes: Nuk e di. Ka shumë spekulime për këtë në këtë çast. Natyrisht se bisedimet ndërmjet partive po zhvillohen, jo vetëm ndërmjet PDK-së dhe LDK-së por edhe të partive të tjera. Ato duhet të gjejnë së bashku zgjidhjen që është në interes të partive të tyre, por mendoj se po zhvillohen edhe bisedime rreth asaj se çka është në interes të vendit dhe kjo është e mirë. Zgjedhjet e parakohshme, ose shumë të hershme, natyrisht se hapin çështjen nëse ato mund të organizohen me kohë, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëhet gati. Ishim në proces të reformimit të ligjit zgjedhor dhe gjithashtu në një proces drejt modernizimit dhe përditësimit të listës së votuesve dhe këto gjëra duhet të bëhen para se të mundësohen zgjedhjet. Por është e drejtë e plotë e autoriteteve të Kosovës, të një vendi të pavarur, që të vendosin për këto gjëra dhe këto biseda po zhvillohen. BBC: Sikur e thoni shumë përgatitje duhet bërë për zgjedhjet e parakohshme. Por nëse këto zgjedhje do të kërkohen për t’u bërë dhe autoritetet thonë se ato duhet të organizohen këtë vit, a nuk nxitohen ato me këtë hap? Ambasadori Sparkes: Duhet të pyesni ekspertët teknik të KQZ-së se çka mund të bëhet dhe çka nuk mund të bëhet me kohë, unë nuk e di. Por është në interes të Kosovës që të ketë zgjedhje të organizuara drejt dhe zgjedhje që do të jenë të besueshme dhe të drejta. BBC: Pra zgjedhjet e reja do të sjellin institucione më legjitime ta quaj ashtu? Ambasadori Sparkes: Jo, sepse nuk ka dyshim në legjitimitetin e qeverisë së zgjedhur dhe në një zhvillim normal të ngjarjeve do të duhej të kishte zgjedhje në nëntor të vitit 2011, por asgjë nuk shkruan në Kushtetutë për të parandaluar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga autoritetet kur zgjidhjet e caktuara politike e kërkojnë atë. Kjo mund të bëhet ashtu siç bëhet në vendin tim ose në ndonje tjetër. BBC: Ambasador a do të shtyjnë këto zhvillime sot në Kosovë, dialogun e paraparë të organizuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështjet e interesit të përbashkët? Ambasadori Sparkes: Sërish nuk e di. Shpresoj se jo dhe mendoj se, dialogu që është shumë i rëndësishëm për të dyja vendet dhe për rajonin, në çfarëdo rasti duhet të ketë përgatitje për modalitetet e këtyrë bisedimeve edhe kur BE-ja i lehtëson ato dhe zonja Ashton është e gatshme që të bëjë së bashku të dyja palët. Prandaj do të ketë faza përgatitore dhe unë shpresoj se ato do të vazhdojnë më tutje edhe nëse hyjmë në zgjedhje të parakohshme. Por në këtë fazë nuk e dimë ende. BBC: Pra ju vlerësoni se Kosova duhet të ecë në dy binarë: atë të zgjedhjeve të parakohshme dhe atë të përgatitjeve për dialog? Ambasadori Sparkes: Nuk e thash këtë. Ju takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin nëse do të ketë zgjedhjeve të parakohshme, në kuptimin e asaj se çka mund të menaxhohet, nëse qeveria mund të vazhdojë, nëse Kuvendi është i gatshëm të bashkëpunojë me legjislacionin e partive pra çështje të këtyre natyrave. Por për dialogun unë shpresoj, sepse kjo është një mundësi historike që shpresoj se do të shfrytëzohet dhe shpresoj se nuk do të ketë shtyrje ose “ngrirje” të procesit të dialogut por ky proces në çdo rast mund të marrë kohë për përgatitje. BBC: Qeveria juaj e ka përsëritur se nuk ka dialog për statusin e Kosovës por dialog për çështjet teknike të interesit të përbashkët. Kur mund të fillojë ky dialog? Ambasadori Sparkes: Ne e kemi thënë këtë absolutisht. Çështjet e statusit të Kosovës dhe të tërësisë së saj tokësore, sa i përket Britanisë së Madhe, nuk do të bisedohen. BBC: Ju pyeta kur mund të fillojë ky dialog? Ambasadori Sparkes; Kjo është një çështje që, me sa e kuptoj unë, po diskutohet ndërmjet palëve, Prishtinës e Beogradit, dhe zonjës Ashton si lehtësuese. Prandaj unë nuk e di. | LOKALE Jakup Krasniqi flet për zgjedhje të parakohshme29 shtator 2010 | Faqja Kryesore Thaçi: Rasti Sejdiu-çështje serioze26 shtator 2010 | Faqja Kryesore Mustafa - Të dalim nga koalicioni 20 shtator 2010 | Faqja Kryesore Agjenda e bisedimeve ende e papërcaktuar17 shtator 2010 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||