BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 09 nëntor 2009 - 14:16 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Njeriu që e rrëzoi më herët Murin
Rrëzimi i Murit të Berlinit
Zoti Schabowski mendonte se bashkimi do të ndodhte më vonë
Në distancë hapja e Murit të Berlinit mund të shihet si një zhvillim që ishte i pashmangshëm, një pasojë e natyrshme e ndryshimeve që po i jepnin formë Evropës.

Por në pjesën më të madhe të vitit 1989, ajo ishte një gjë e paimagjinueshme.

Vetë vendimi ishte në vetvete një aksident, sepse as nuk pati synimin të ndodhte në mënyrën që ndodhi dhe as të shkaktonte ndryshimet që pasuan.

Guenter Schabowski ishte zëdhënësi i Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore në 9 nëntor të vitit 1989.

Ai njoftoi gabimisht se do të jepeshin viza lirisht për ata persona që dëshironin të largoheshin nga vendi.

Kjo bëri që njerëzit t'i drejtoheshin kufirit dhe komentet e tij shihen si fjalët që çuan në rënien e Murit.

Por 20 vjet më pas zoti Schabowki i tha BBC-së se njoftimi nuk ishte një gabim ai thjesht u bë më herët seç duhej.

BBC: A ju a trajtuar historia në mënyrë jo të drejtë?

Schabowksi: Nuk mendoj se historia më dha një detyrë, për të cilën nuk do të merrja mirënjohje, sepse megjithëse roli im ishte jo i vullnetshëm, ai ndihmoi për t'i dhënë fund konfrontimit mes Lindjes dhe Perëndimit.

Udhëheqësia e Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore kishte arritur në konkluzionin se kishte nevojë për transparencë se duhet të mbahej një konferencë shtypi dhe unë mendova se unë isha personi i duhur për këtë punë.

BBC: A ishte gabim? A gabuat gjatë asaj konference për shtyp?

Schabowksi: Nuk ishte gabim. Nuk ishte se unë thashë: Vetë unë Schabowksi e hapa murin", kjo do të kishte qënë absurde.

Një gabim që ndodhi ishte fakti që njoftimi ishte ndaluar të jepej, por unë nuk e dija.

Do të kishte qënë e çuditshme që t'u thoja njerëzve se kufiri ishte hapur, por mos u thoja se kur.

Muri do të ishte hapur gjithësesi, ndoshta disa orë më vonë dhe me më shumë kontroll nga ana e qeverisë gjermanolindore.

BBC: A mendoni se do të kishte patur efektin që pati?

Schabowksi: Padyshim. Unë e imagjonoja që hapja e Murit do të kishte disa pasoja.

Por nuk i kisha imagjinuar ato lloj pasojash në atë moment. Askush në parti nuk e kishte imagjinuar këtë.

BBC: A mendonit se do të çonte drejt bashkimit?

Schabowksi: Po e imagjinoja, por jo kaq shpejt. Unë mendoja se do të kalonte një periudhë prej disa vjetësh.

BBC: Si mendoni që do të mbahet mend Gjermania Lindore?

Schabowksi: Si duhet të mbahet mend? Socializmi ishte një projekt i keq, ai dështoi jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por në të gjithë frontin, përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik.

BBC: Si e shikonin ribashkimin e Gjermanisë. A ndiheni këtu si në shtëpinë tuaj?

Schabowksi: Ky është vendi im. Unë jam i lumtur që ribashkimi ndodhi në një mënyrë paqësore, kjo është gjëja më e rëndësishme.

Mbi të gjitha, nuk ishte një konfrontim mes socializmit dhe kapitalizmit që u kapërcye. Ishte konfrontimi mes diktaturës dhe demokracisë.

Demokracia fitoi dhe solli avantazhe në të dyja anët e Gjermanisë.

LOKALE
Muri i Berlinit dhe Kosova
09 nëntor 2009 | Rajoni
Shqipëria dhe Muri i Berlinit
08 nëntor 2009 | Faqja Kryesore
Njeriu që hoqi Perden e Hekurt
05 nëntor 2009 | Faqja Kryesore
Revolucioni i Evropës 20 vjet më pas
03 nëntor 2009 | Faqja Kryesore
1989 - Fëmijët e Revolucionit
28 tetor 2009 | Forum
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>