|
Revolucioni i Evropës 20 vjet më pas | |||||||||||||||||||||||
Ishte një vit i çuditshëm- as i parashikueshëm, as i shmangshëm. Për të gjithë ne që ishim në vorbullën e tij, zhvillohej një betejë e vazhdueshme për ta kuptuar atë që po na ndodhte para syve. Dhe ata që kishin pushtet për të ndikuar tek ajo që po ndodhte, u tërhoqën. Rezultati nuk ishte ai që kihsin pritur. Ishte një vit në të cilin pushteti u transferua nga udhëheqësit shtypës komunistë që nuk toleronin pyetje e debate për politikën që ndiqnin, tek protestat amsive që rrëzuan qeveri dhe rikonfiguruan hartën e Evropës. Vetëm Kina i rezistoi ndryshimeve duke i shtypur brutalisht protestuesit. Pati momente kur Evropa pothuajse u përfshi nga gjakderdhja. Një natë në tetor pashë trupat e Gjermanisë Lindore të armatosur dhe të gatshëm për të shtënë mbi protestuesit. Vetëm një akt kurajoz në byronë politike të Gjermanisë Lindore shmangu një masakër të tmerrshme. Por në fillim kishte pak shenja që linin të kuptohej se ne po bëheshim dëshmitarë të rënies së komunizmit dhe fundit të Luftës së Ftohtë. Unë u jam rikthyer shënimeve që kam mbajtur në atë kohë dhe nuk gjej që të kem shënuar diku për tryezën e rrumbullakët në Poloni në muajin shkurt që do të çonte në krijimin e qeverisë së parë jokomuniste në Evropën Lindore. Pak menduan atëherë se ky ishte një zhvillim që duhej shënuar. Beteja mes komunistëve polakë dhe lëvizjes Solidariteti (Solidarnost) kishte dhjetë vjet që vazhdonte dhe nga Londra, kjo dukej si një manovër tjetër cinike që synonte mbetjen në pushtet të komunistëve polakë. Padyshim, këtë synonin vetë komunistët. Të vetëm Në Londër, vëmendja jonë ishte përqëndruar tek Afganistani. Ushtria e Kuqe po braktiste përpjekjet për ta vendosur vendin nën kontroll dhe po tërhiqej. Ne që po ndiqnim zhvillimet, diplomatë, gazetarë dhe politikanë po përpiqeshim të interpretonim se çfarë do të thoshte kjo për ambicjet e Bashkimit Sovjetik në të ardhmen. A kishim të bënim me një tërheqje taktike, apo një ndryshim të përhershëm politik?
I sapokthyer pas tri vjetëve në Rusi, unë kisha teorinë time. E kisha parë me sytë e mi se sa e thellë ishte kriza në rrugët e Moskës- ushqim i keq, kushte të mjerueshme banimi dhe rrugë që do nuk i shihje as në botën e tretë dhe besoja se kjo ishte një perandori në rënie. Unë parashikoja që ajo të shpërbëhej gjatë një procesi që do të zgjaste për shumë vjet. E vërteta u bë e qartë vetëm në tetor. Komunistët kishin humbur pushtetin në Poloni dhe dhjetëra mijëra gjermanolindorë po largoheshin përmes kufirit të sapohapur hungarez. Udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev vizitoi Berlinin Lindor. Unë zbulova nga shërbimi i zbulimit i Gjermanisë Perëndimore se z. Gorbachev i kishte thënë udhëheqësit gjermanolindor, Erick Honecker se ushtria sovjetike nuk do ta mbështeste po të përdorte forcën ndaj demonstruesve. Se si e shtinë ata në dorë këtë informatë kaq të ndjeshme, askush nuk e di, por pasojat ishin të qarta. Satelitët sovjetikë tani kishin mbetur të vetëm. Ishte një ndryshim total nga koha kur tanket sovjetike kishin shtypur pakënaqësitë në Gjermaninë Lindore, Hungari dhe Çekosllovaki. Arsyeja për këtë pjesërisht ishte ngaqë BS nuk i mbështeste dot më, por ç'ka është më e rëndësishmja, z. Gorbachev besonte se një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme. Komunizmi i reformuar, mendonte ai, do të ishte popullor dhe shtypja staliniste nuk ishte më e nevojshme as në BS, as gjetkë. Ai e kishte gabim, por kundërshtimi që i bëri dhunës dhe kurajo morale që tregoi përballë sistemit sovjetik, bënë të mundur që viti të mbyllej më i paqshëm nga ç'mund të ishte mbyllur pa të. 'Kujtoni Tienanmenin' Por si do të reagonin qeveritë kliente? Polonia u tërhoq dhe bëri marrëveshjen më të mirë të mundshme me Solidaritetin. Por Gjermania Lindore ishte tërhequr nga shembulli i Kinës. Qeveria komuniste atje kishte shtypur me dhunë protestat në Sheshin Tienanmen dhe pse bota i kishte sytë atje. Autoritetet gjermanolindore i dërguan një mesazh Forumit të Ri, grupit që qëndronte pas protestave. Në të thuhej "Kujtoni Tienanmenin". Një nga kujtimet e mia më të fuqishme të asaj kohe është shprehja e fytyrës së Jens Reich, njërit prej themeluesve të Forumit, teksa e dëgjoi. I nxirë në fytyrë dhe i ndërgjegjshëm për kërcënimin, ai menjëherë tha se protestat do të vazhdonin. "Duhet të nisim dialogun, në mënyrë që njerëzit të thonë diçka para se të zhduken. Ndjehem fajtor që nuk kam folur që më parë," tha ai. Në fund, trimëria dhe kurajo e milionave si ai, çuan në rrëzimin e qeverive komunsite në mbarë Evropën. Por rreziqet ishin shumë reale dhe rezultati në dyshim deri në momentin e fundit. Secili vend bëri betejën e tij. Prandaj nuk e është e habitshme që ajo që ndodhi, të ishte e vështirë të kuptohej. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||