|
Politika e jashtme shumë pas ekonomisë | |||||||||||||||||||||||
Gjendja e rëndë ekonomike, kriza financiare dhe e huave e kanë kthyer garën presidenciale në SHBA në një përplasje për çështjet e brendshme. Politika e jashtme, që pritej të ishte një nga çështjet kryesore të fushatës – megjithëse jo kryesorja – tani duket se është ulur në ndenjësen e fundit. Megjithatë, si analistët ashtu edhe politikanët nga të dy kampet, thonë se ajo është ende e rëndësishme. Në fund të fundit në këtë krizë globale ekonomike, marrëdhëniet ndërkombëtare kanë provuar se janë kyç për t’i dhënë zgjidhje krizës më të fundit financiare. Dhe çështja e luftës në Irak, e Afgansitan, me siguri që do të dalin në prominencë gjatë ditëve në vazhdim deri në zgjedhjet e 4 nëntorit. Të dy kandidatët, senatori republikan John McCain dhe senatori demokrat Barack Obama janë përplasur disa herë për çështjet e politikës së jashtme. Ata janë përplasur për strategjinë në Irak, kanë mendime të ndryshme për bashkëpunimin ndërkombëtar për krizën enegjetike dhe klimën. Por, siç u vu re edhe në debatin e fundit televiziv, çështjet e brendshme, ekonomia, eklipsuan plotësisht çështjet e politikës së jashtme dhe atë të luftës, që lidhet ngushtë me të. Por pse ka ndodhur kjo? Kandidati republikan në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve ne Kolorado, Ken Summers thotë se njerëzit kanë tendencë të lexojnë gazetat dhe ekonomia ka qenë në fokus, çështja më e nxehtë politike. “Megjithatë nuk pritej që politika e jashtme dhe lufta në Irak të ishin aq kritike sa ishin dy vjet më pare,” thotë zoti Summers. Flloyd Cerily, që është një analist i pavarur i anketave të opinionit publik thotë se, sipas anketave të tij, politika e jashtme, madje edhe Iraku, kanë rënë poshtë si përparësi. Sigurisht që kriza ekonomike e ka bërë ekonominë çështjen kryesore në fushatë, thotë ai, por shton se suksesi i stategjisë së fundit amerikane në Irak, The Surge, ka sjellë një reagim të pakuptueshëm politik. “Sa më e suksesshme ishte strategjia ushtarake ne Irak, aq më pak mbulim nga media pati,” thotë zoti Cerily. “Sa më shumë që dilte në pah strategjia që zoti McCain ka mbështetur, aq më shumë kjo çështje është larguar nga rendi i ditës, duke mos i dhënë atij në një farë mënyre meritën që ai kërkonte që të merrte për këtë,” thotë ai. Ende e rëndësishme Aktivistja demokrate Butterspark Walk, që organizon anketa për demokratët, thotë se çështja e politikës së jashtme nuk është larguar ende, në fakt është e lidhur me çështjen e ekonomisë. Ajo thotë që ekonomia amerikane është shumë e lidhur me atë botërore si asnjëherë tjetër. “Ne duhet të rregullojmë shtëpinë tonë, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, nuk mund të japim atë lloj udhëheqjeje qe ne kemi dhënë në të shkuarën,” thotë zonja Walk. Richard Hass, president i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë në Nju- Jork, republikan që ka punuar më parë në administratën e presidentit Bush, thotë se kriza financiare e ka dëmtuar pozicionin e SHBA-së në botë, por shton se kjo nuk është e përhershme. “Sa do kohë që do t’i duhet ShBA-së të gjejë vetveten, nuk mendoj se ka ndonjë tjetër që mund të zërë vendin tonë,” thotë ai. “Ka shumë mundësi që ne po hyjmë në një periudhë historie rrëmuje, po të përdor një fjalë elegante, në një farë ç’organizimi, pra, një kalim nga një botë e dominuar nga amerikanët në një botë ku fuqia po shpërndahet në shumë aktorë,” thotë zoti Hass. Disa aktorë, shton ai, janë të përgatitur të luajnë një rol frutdhënës, por të tjerë nuk janë. Senatori demokrat, Geri Hart, këshilltar për politikën e jashtme në kampin demokrat, duket se ka një përshtypje pak më rozë për këtë gjendje ekonomike të rëndë dhe rolin e SHBA-së në politikën botërore. “Unë shoh një situatë që mund të kthehet nga katastrofale në mundësi, ku një president Barak Obama thotë që gjendja është më ndryshe tani,” thotë zoti Hart. “Ne mund të luajmë një rol të ndryshëm tani dhe roli ynë është lehtësues, mendimtar krijues, ne ofrojmë mundësi dhe u themi të tjerëve të zgjedhin njërin nga opsionet,” thotë ai. Zoti Hart sugjeron që Amerika të marrë rol udhëheqës duke propozuar një regjim rregullues botëror për të dalë nga gjendja e vështirë financiare. Shqetësimet ekonomike po kombinohen me një botë në ndryshim dhe anketuesi Cerily thotë se kjo do të ketë një ndikim të rëndësishëm në sjelljen e votuesve. | LOKALE Bursat nervoze pas paketës shpëtuese15 tetor 2008 | Faqja Kryesore Nga Getisburgu në zgjedhjet amerikane14 tetor, 2008 | Speciale Çfarë imazhi duan të kenë amerikanët?13 tetor 2008 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||