BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 13 tetor 2008 - 06:29 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Çfarë imazhi duan të kenë amerikanët?

Autobusi i BBC-së
Politika e jashtme është një nga pikat kryesore në fushatën zgjedhore presidenciale midis kandidatit demokrat Barak Obama dhe atij republikan John McCain.

Debati i tyre është përqëndruar lidhur më atë se cili prej tyre është më i fortë për të drejtuar politikën e jashtme amerikane në një kohë kur duket se imazhi i Amerikës në botë ka pësuar rënie, sidomos pas luftës në Irak, por edhe për shkak të mungesës së dëshirës nga administrata e tanishme amerikane për t’u angazhuar në projekte shumëkombëshe për tregëtinë dhe ngrohjen globale.

Por si e shohin qytetarët amerikanë imazhin e tyre në botë? A janë ata të kënaqur me atë që mendon bota për ta? Çfarë imazhi do të donin ata të eksportonin jashtë.

Gjatë udhëtimit të autobusit të BBC-së nëpër Amerikë ndaluam në qytetin Akron, të Ohajos (Ohio) dhe biseduam me disa të rinj, nxënës dhe studentë të shkollave dhe kolegjeve të qytetit.

“Besoj se imazhi i popujve të tjerë për Amerikën tani nuk është kaq i mirë,” thotë 16-vjeçarja Domenique Contul.

“Do të më pëlqente që të ishte më i mirë, por lufta, ndikimi në çmimet e naftës dhe rënia e bursave së fundmi kanë ndikuar negativisht,” thotë ajo.

Mendoj se ka tre pikëpamje për Amerikën, thotës Dally Dera.

“Njëra është imazhi i hamburgerit, e dyta është se ne jemi toka e mundësive dhe e treta sigurisht lufta,” shton ajo.

“Unë do të doja që të mos lidhej me imazhin e hamburgerave apo të luftës, sepse ne jemi një grup njerëzish që duam paqen dhe jemi një tokë ku ka mundësira.”

Travis Crowton në Kolegjin e Akronit mendon se Amerika portretizohet si polici për të gjithë botën.

“Imazhi që dua unë që të eksportohet nga Amerika është se ne jemi toka e njerëzve të lirë dhe mundësive të arta,” thotë ai.

Amerika arrogante

Anketa të kohëve te fundit në shumë vende të botës lidhur me politikën e jashtme amerikane tregojnë se një shumicë njerëzish mendojnë se Amerika, me fuqinë e saj të madhe ekonomike dhe ushtarake, sillet në mënyrë arrogante duke imponuar zgjidhjet e saj për shumë probleme ndërkombëtare, për të cilat shumë vende të tjera kanë pikëpamje të ndryshme.

A janë këta të rinj të shqetësuar nga ky opionon negativ për Amerikën në botë?

“Më shqetëson, por nuk më lëndon,” thotë Trevisi.

“Amerika është një vend me raca të përziera, ne këtu jemi individë, nuk jemi thjesht Amerika, secili nga ne ka pikëvështrimin e vet për Amerikën,” thotë ai.

“Mendoj se nuk do të më lëndojë kur të shkoj në një vend tjetër, unë gjithnjë mund të shpjegoj vetveten.”

“Më shqetëson pak sepse ata na shohin si njerëz që në fakt ne nuk jemi,” thotë Corry Jarvis, nxënëse në një nga shkollat e mesme të qytetit.

“Ata shohim një person që sillet dhunshëm dhe mendojnë se ne të gjithë sillemi ashtu.

“Në fakt nuk jemi të gjithë ashtu, të gjithë ne jemi të ndryshëm, mendoj se nuk duhet t’i gjykojnë të gjithë bazuar në veprimet e një personi,” thotë Corry.
Imazhi

Por cili është imazhi që ata duan të eksportojnë jashtë?

Trevis mendon se ai duhet të jetë imazhi i “ëndrës amerikane”.

“Mendoj se ëndra është ende – nga leckat në pasuri - nëse vendos të bësh diçka, mund ta bësh, nuk të ndalon njeri,” thotë Travis.

“Shihni Barak Obamën. Ai ishe poshtë po tani po ngjitet lart.”

“Në Amerikë ka njerëz që nuk kanë shumë,” shton Corry, “por nëse përpiqesh shumë, punon shumë mund të bësh atë që ke si dëshirë dhe të bëhesh njëriu që dëshiron të bëhesh dhe të plotësosh ëndrën tënde.”

Domenique thotë se Amerika duhet të eksportojë imazhin e lirisë. “Lirija mund t’i përmbledhë të gjitha,” thotë ajo.

“Mendoj se do të ishte shpresa dhe individualiteti,” shton Ariel Davis.

“Çdokush nga ne mund te jetë personi që dëshiron, mund të ketë idetë e veta dhe nuk jemi të detyruar që të jemi të gjithë njëlloj, dhe të gjithë mund të kontribuojmë që të bëjmë diçka të mirë, pra individualiteti,” thotë Ariel.

Dy kandidatët për presidentë kanë përpara një detyrë të stërmadhe për të bindur amerikanët se cili prej tyre do të përçonte imazhin e duhur në botë, për ta bërë Amerikën më të pranueshme dhe njerëzore, dhe jo policin arrogant të botës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>