BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 15 tetor 2008 - 07:10 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Bursat nervoze pas paketës shpëtuese
Pamje nga bursa e Nju Jorkut
Pamje nga bursa e Nju Jorkut
Ashtu siç e parashikuan disa analistë financiarë, njoftimi i paketës nga presidenti Bush i dha një shtytje fillestare lart vlerës së aksioneve në bursa, sidomos të aksioneve të bankave, por më pas ato pësuan rënie, megjithëse të vogël.

Disa analistë në Wall Street thanë se arsyeja për këtë rënie ishte frika e investitorëve se ekonomia globale mund të mos e shmangte dot rënien ekonomike, megjithë paketën nxitëse amerikane.

Disa tregtarë të intervistuar nga BBC-ja thanë se Wall Street-i pritej që të reagonte me nervozizëm në javët që vijnë për shkak të shqetësimit për ekonominë.

Pra, ekziston një ndjenjë rezerve dhe, për një farë kohe, tregjet do të jenë të lëvizshme.

Investitorët e kanë mirëpritur veprimin e qeverisë amerikane, por frika për rënien ekonomike dhe jo për shkrirjen financiare, duket se po dominon tani mendimet e tyre.

Më parë tregjet kishin reaguar pozitivisht ndërsa investitorët menduan se veprimi i qeverisë amerikane për të forcuar sistemin bankar do të lehtësonte krizën e kredive.

Ndërsa prisnin reagimin ndaj planit te presidentit Bush në Wall Street, Ilir Nishku bisedoi me korrespondentin e BBC-së për biznesin Steven Evans dhe fillimisht i kërkoi mendimin e tij për planin e ri të zotit Bush.

Steven Evans: Nuk është vetëm plani i Bushit, është edhe i Sekretarit të Thesarit, por gjithashtu ai është edhe një reflektim i një plani në Evopë dhe në vende të tjera të botës. Plani do të thotë që qeveria të marrë përsipër pjesë të pronësisë së bankave. Qëllimi është që të risigurojë bankat e tjera se borxhet do të njihen që bankat të japin hua dhe të marrin kredi nga njëra-tjetra. Pra, ky është qëllimi. Unë mendoj se do të ketë ndikim në këtë aspekt. Kjo është e rëndësishmë sepse nëse bankat nuk kanë besim tek njëra-tjetra, bankat nuk i japim hua njëra-tjetrës dhe kjo e bllokon sistemin financiar. Dhe kjo gjë ndalon çdo gjë tjetër, sepse kompanitë kanë nevojë të marrin hua për arsye afatshkurtra.

BBC: Por çfarë nuk bën atëhere ky plan?

Steven Evans: Ajo që nuk bën është që të zgjidhë problemet më të gjëra të ekonomisë amerikane. Çmimet e shtëpive në Amerikë po bien dhe nuk e dimë se edhe sa do të bien. Kjo do të thotë se njerëzit do të hasin vështirësi, p.sh, njerëzit do ta kenë të vështirë të shesin shtëpitë dhe njerëzit nuk do të shpenzojnë më shumë. Dhe ka shenja se ata po e bëjnë tashmë këtë. Pra, kemi këto probleme te gjëra në ekonominë e vërtetë dhe ato probleme do të vazhdojnë të egzistojnë. Por ajo që bën plani është se e lejon sistemin financiar të fillojë të veprojë përsëri dhe kjo është shumë, shumë e rëndësishme. Pra, plani shmang një shkrirje të rëndë të sistemit financiar që mund të krahasohej me krizën e vitit 1929.

BBC: Çfarë mund të thuhet lidhur me shqetësimet se qeveritë po përdorin para të publikut për të nxjerrë bankat nga gjendja e vështirë?

Steven Evans: Keni shumë të drejtë. Qeveritë po përdorin para të publikut, të taksapaguesve për të dalë nga kjo gjendje e vështirë. Ata po marrin kontrollin mbi një pjesë të bankave me para të publikut dhe shumë vetëve nuk u pëqen kjo gjë, veçanërisht në Amerikë, ku synimi i republikanëve ka qenë që të zvogëlojnë madhësinë e qeverisë dhe jo ta rrisin atë. Pra, kemi këtë ironi të madhe, apo jo, që zoti Bush largohet nga detyra duke e rritur masivisht madhësinë e qeverisë dhe ka shtetëzuar bankat. Nëse ishte diçka që ai nuk do të kishte dashur të bënte kur mori mandatin, ishte pikërisht kjo. Por në fund u detyrua të bëjë këtë gjë.

Megjithatë argumentimi është se gjendja ishte kaq serioze saqë nuk mund të bëhej ndonjë gjë tjetër më ndryshe. Asnjë nuk mendon se kjo është një gjendje ideale, një gjendje e mirë, por alternativa tjetër, sipas shumë ekonomistëve, do të kishte qenë nje shkrirje e sistemit financiar dhe kjo do të kishte qenë katastrofale për shumë njerëz, sepse do të rritej papunësia, shumë vetë do të kishin mbetur pa punë, shumë kanë humbur shtëpitë, do të ishin shkaktuar shumë vuajtje ekonomike. Pra, asnjërit nuk i pëlqen kjo, por çfarë tjetër mund të bënin?

BBC: Çfarë mund të thuhet për ndikimin e këtyre masave për ekonominë në përgjithësi. A do të kenë ato ndonjë ndikim tek njerëzit e thjeshtë në fund të fundit?

Steven Evans: Në një afat të shkurtër çmimet e aksioneve ndoshta do të rriten pak, pra, bursat do të kenë një farë shkundjeje. Nëse rriten çmimet e aksioneve rritet, vlera e depozitave të njerëzve rritet, fondet e pensioneve, e gjëra si këto. Pra, në këtë aspekt ndoshta largohet ai lloj shqetësimi që u krijua për planet e daljes në pension. Në një afat më të gjatë, këto masa do të rrisin defiçitin e qeverive, pra, me fjalë të tjera qeveria do të duhet të bëjë kursime diku. Megjithatë një nga aspektet e këtij plani është se qeveria do të marrë nën pronësi pjesë të bankave dhe kjo do të thotë se qeveria duhet të marrë fitimin e saj nga bankat dhe synimi është që sapo bankat të fillojnë të punojnë normalisht përsëri, aksionerët e qeverisë do të fillojnë të marrin fitime dhe në fund, mendohet se, ndërsa gjenjda do të normalizohet në vitet që do të vijnë, qeveria mund t’i shesë ato aksione. Pra, për taksapaguesin nuk është çdo gjë e errët dhe pa perspektivë, por për të ardhmen afatshkurtër, të themi në këto dy-tre vitet e ardhshme, do të ketë presion për qeverinë që të gjejë sektorë ku mund të bëjë shkurtime dhe kursime gjetkë për të paguar për atë që po bën.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>