BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 11 qershor 2007 - 17:09 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Lidershipi kosovar i kënaqur me Bushin
Agim Çeku
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku
Qytetarët dhe lidershipi në Kosovë janë shprehur tejet të kënaqur me vizitën e presidentit Bush në Tiranë.

Ata e kanë vlerësuar lartë deklarimin e presidentit amerikan për pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Çeku i ka deklaruar BBC-së, se pas kësaj deklarate e ndjen veten shumë më të lehtësuar.

Korrespondenti ynë në Prishtinë Muharrem Nitaj, në intervistën që i mori kryeministrit Çeku, fillimisht e pyeti nëse kjo vizitë ishte historike për Prishtinën dhe për Tiranën?

Kryeministri Çeku: Pajtohem me ju se vërtetë ka qenë një vizitë historike për Shqipërinë, por në përgjithësi edhe për popullin shqiptar.

Presidenti Bush, fillimisht deshi t'i përshëndes përpjekjet e Shqipërisë për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Desha ta përshëndes qëndrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve që janë rradhituar në krah me SHBA-në, në luftën globale kundër terrorizmit, por mbi të gjitha ai e shfrytëzoi këtë rast që të japë mesazhe të qarta edhe për të ardhmën e Kosovës.

BBC: Në këtë rrafsh dy janë parë si mesazhet më të rëndësishme, së pari se Kosova në çfardo rrethane do të jetë shtet i pavarur dhe se ky është qëndrim i Shteteve të Bashkuara dhe e dyta se kosovarët duhet të jenë të durueshëm dhe të përmbajtur për t'i lënë hapsirë procesit, i cili duhet të vazhdojë për t'u kurorëzuar me pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Çeku: Keni të drejtë. Ky mesazh ishte shumë i qartë dhe shumë qetësues për lidershipin dhe për qytetarët e Kosovës, se duhet të jenë të qetë.

Se nuk jemi vetëm në këtë proces, se prapa nesh janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera më të fuqishme të botës dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se procesi i njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, është një operacion i ndërlikuar politikë, kjo në kuadër të zhvillimeve globale në botë.

Kështu që ne, këto gjëra nuk mund t'i kontrollojmë, por ka shumë gjëra që ne mund t'i kontrollojmë dhe mund të ndikojmë në to.

Ato, në rradhë të parë janë; uniteti politik, është stabiliteti i brendshëm dhe ruajtja dhe kultivimi i partneritetit me miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.

Këto janë gjërat, të cilat duhet t'i kemi parasysh, gjërat në të cilat ne duhet të investojmë edhe si lidership edhe si qytetarë të Kosovës.

BBC: Kryeministër Çeku nga mesazhi i presidentit Bush lihej të kuptohej se procesi eventualisht do të mund të zgjasë pak më tepër.

Kryeministri Çeku: Presidenti Bush e tha shumë qartë se nuk ka zvarritje të përpjekjeve, por ka përpjekje me një intensitet të shtuar në miratimin e një rezolute të re.

Ky është një process, një projekt dhe operacion i ndërlikuar politik që kërkon kohë, që kërkon durim, por përfundimi i këtij procesi është pozitiv për ne, është pavarësia e Kosovës.

BBC: A jeni më të qetë pas vizitës së presidentit Bush në Tiranë dhe mesazheve të tij?

Kryeministri Çeku: Jam shumë më i qetë, jam shumë më konfident që shumë shpejt do ta realizojmë pavarësinë e Kosovës, pavarësinë si projektin më madhor të kombit tonë, për të cilin kemi luftuar, kemi sakrifikuar dhe për të cilin jemi përpjekur.

BBC: U kërkua një bashkëpunim i Tiranës me Prishtinën, kjo në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të shkuar atje ku po synon lidershipi dhe populli i Kosovës. Komenti juaj për këtë?

Kryeministri Çeku: Pikërisht ashtu. SHBA na inkurajojnë për një bashkëpunim të ndërsjellë në gjithë rajonin. Në këtë kuadër bashkëpunimi me Shqipërinë, po aq sa është i nevojshëm është edhe i natyrshëm.

BBC: Ka pasur disa zëra se presidenti Bush gjatë kësaj vizite do të mund të qëndronte për disa orë edhe në Prishtinë dhe që kjo ndoshta do të përputhej me një moment historik për Kosovën, por që këtë herë nuk u bë. Kur shpresoni se ai do ta vizitojë Kosovën?

Kryeministri Çeku: Shpresoj se do ta bëjë shumë shpejtë, po sa ta realizojmë këtë ndërmarrje të përbashkët-pavarësinë e Kosovës. Besoj se presidenti Bush do të gjejë kohë dhe ta shohë të udhës të vijë dhe ta festojmë këtë arritje të përbashkët.

LOKALE
Prishtina - Vizitë historike
10 qershor 2007 | Faqja Kryesore
Prishtina bën apel për statusin
08 qershor 2007 | Faqja Kryesore
G8-a pa marrëveshje për Kosovën
08 qershor 2007 | Faqja Kryesore
Zgjidhja mund të ofrohet në korrik
07 qershor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>