|
Kritika Iranit për mosbashkëpunim bërthamor | |||||||||||||||||||||||
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka miratuar një rezolutë e cila kritikon Iranin se nuk ka bashkëpunuar si duhet me këtë organizatë për programin e tij bërthamor. Rezoluta thotë se në shumë raste informacioni i dhënë nga pala iraniane nuk ka qenë i plotë, dhe është marrë pas disa kërkesash. Ministri i Jashtëm iranian, Kamal Kharazi, tha se rezoluta ishte e frymëzuar nga amerikanët dhe shtoi se Irani do të vazhdonte të bashkëpunonte me Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Rezoluta shpreh keqardhje për mungesën e një bashkëpunimi të qëndrueshëm të Iranit me agjencinë si dhe shqetësimin se të dhëna të rëndësishme që ka dhënë Irani për centrifugat e tipit P2, të cilat mund të përdoren për pasurimin e uraniumit për të prodhuar bomba, kanë qenë jo të plota dhe të paqarta. Rezoluta i bën thirrje Iranit që ta zgjidhë urgjentisht çështjen e përdorimit të këtyre centrifugave si dhe të gjurmëve të uraniumit të gjetura në disa objekte në Iran. Rezoluta pranon se është shënuar përparim në hetimet e zhvilluara lidhur me natyrën e programeve bërthamore të Iranit, por thotë se këto hetime duhet të përfundojnë brenda muajve të ardhshëm. Pavarësisht nga kritikat e ashpra, rezoluta nuk shkon deri në ndëshkimin e Iranit dhe nuk kërkon sanksione ndaj Iranit, siç kishin kërkuar Shtetet e Bashkuara. Ajo nuk vë ndonjë afat dhe nuk përmend ndonjë paralajmërim që ta çojë çështjen e Iranit përpara Këshillit të Sigurimit të Komveve të Bashkuara në Nju Jork. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||