BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 28 qershor 2009 - 19:01 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Pritet rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri
Një votues në Tiranë
Zgjedhjet janë një test për kredencialet demokratike të Shqipërisë
Shqiptarët kanë votuar në zgjedhjet e shtata parlamentare që nga vendosja e sistemit shumëpartiak.

Si autoritetet e administrimit të zgjedhjeve ashtu edhe vëzhguesit e shumtë ndërkombëtare thonë se deri në orën 1900 zgjedhjet janë zhvilluar përgjithësisht të qeta.

Zgjedhjet janë një test për të konfirmuar kredencialet demokratike të Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian ka thënë se një proces i rregullt do ta ndihmojë vendin që t'i afrohet më shumë Evropës.

Presidenti Bamir Topi tha, ndërsa hidhte fletën e votimit, se këto zgjedhje janë një provë për konsolidimin e demokracisë.

 Ka qenë relativisht qetë kudo dhe shpresojmë se do të mbetet kështu.
Kreu i vëzhguesve të OSBE-së, Richard Bosch

"Ne duhet të demonstrojmë se jemi një vend që kemi arritur në një stand të rëndësishëm të demokracisë, që deshirojmë ta konsolidojmë demokracinë," tha zoti Topi.

"Ne duhet të kemi mundësi që pas këtyre zgjedhjeve rruga për në BE të jetë e hapur, njerëzit të lëvizin të lirë dhe shumë shpejt të jemi pjesë edhe zyrtare e familjes evropiane," tha presidenti shqiptar.

Kryeministri demokrat Sali Berisha dhe kreu i opozitës Socialiste Edi Rama
Rivalët kryesorë Berisha e Rama premtojnë ndryshim dhe integrim

Duke hedhur votën e tij në një qendër votimi në një shkollë në Tiranë, kryeministri Sali Berisha, i Partisë qeverisëse Demorkatike shprehu bindjen se zgjdhjet do të jenë të lira.

"Me këto zgjedhje, që do të jenë të lira dhe të drejta, shqiptarët do të nënshkruajnë mbështetjen për projektin evropian," tha zoti Berisha.

Rivali i tij kryesor, kryetari i partisë më të madhe të opozitës, asaj Socialiste, Edi Rama tha se ai priste nga shqiptarët "të shprehin vullnetin e tyre me maturi dhe qetësi".

"Vota është mundësia e vetme për të bërë histori dhe sot çdo shqiptar ka një mundësi të tillë," tha zoti Rama.

Procesi

Nuk janë njoftuar incidente të rëndësishme, por autoritet zgjedhore kanë paralajmëruar partitë rivale kundër influencimit të votuesve dhe të drejtës së tyre për të hedhur votën.

Rreth 500 vëzhgues ndërkombëtarë dhe qindra vëzhgues vendorë kanë ndjekur procesin e votimit.

"Sipas informacioneve që kemi deri tani, situata është relativisht e qetë," tha kreu i vëzhguesve të OSBE-së, Richard Bosch, para përfundimit të votimit.

Ai u tha gazetarëve në Tiranë se ka pasur "më pak probleme se në zgjedhjet e mëparshme".

"Ka qenë relativisht qetë kudo dhe shpresojmë se do të mbetet kështu," tha ai.

Kryetari i Komisionitt Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Arben Ristani tha se procesi është zhvilluar i qetë.

"Jam vërtetë i kënaqur që procesi po ecën normalisht, besoj se kështu do të ecë edhe numurimi i votave, pasi të mbyllen kutitë në ora 19.00," tha zoti Ristani pak para mbylljes së kutive të votimit.

Ai tha se kishte pasur ndërpreje të votimit në tre vendvotime, ndërkohë që më herët KQZ-ja njoftoi për moshapjen e katër vendvotimeve.

Për të qënë sa më transparent, në 66 qendrat e numërimit e votave janë vendosur kamera të cilat do të transmetojnë drejtëpërdrejtë dhe do të regjistrojnë mënyrën e numërimit të votave.

Zyrtarë të lartë të policisë thanë se votimet janë zhvilluar në një atmosferë të qetë.

"Në të gjithë vendin situata ka qenë mjaft e qetë, përjashto disa raste të papërfillshme që policia ka kryer veprimet e saj," tha për BBC-në drejtori i përgjithshëm i policisë, Ahmet Prençi.

Policia, tha ai, është "vendosur në vendet jashtë qendrave të votimit dhe ndjekin rrugët ligjore kur komisionerët kërkojnë ndërhyrjen e policisë."

LOKALE
Shqipëria voton në zgjedhjet parlamentare
27 qershor 2009 | Faqja Kryesore
OSBE: Zgjedhjet test për Shqipërinë
28 qershor 2009 | Faqja Kryesore
Sistemi proporcional sjell risi
28 qershor 2009 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>