|
Sistemi proporcional sjell risi | |||||||||||||||||||||||
Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri për herë të parë zhvillohen sipas sistemit proporcional rajonal. Ashtu si edhe me sistemin e kaluar (mazhoratar i korrektuar me proporcional) edhe me sistemin aktual, nga zgjedhjet do të dalin 140 deputetë. Për të marrë në garë janë krijuar katër koalicione, Aleanca për Ndryshim, e drejtuar nga PD; Bashkimi për Ndryshim, drejtuar nga PS; Aleanca Socialiste për Integrim, drejtuar nga LSI dhe Poli i Lirisë, drejtuar nga LZHK. Një nga arsyet e grupimit të partive është se proporcionali i favorizon koalicionet. Sistem i ri Sistemi proporcional rajonal, ka anë të favorshme dhe të pafavorshme. Që të merren në konsideratë votat e fituara nga subjektet politike, ato duhet të kalojnë pragun zgjedhor. Për subjetet e vetme pragu është 3 përqind, kurse për koalicione 5 përqind. Pranohet se ky sistem i jep përparësi partive të mëdha, por duke qënë pjesë e koalicioneve, përfitojnë edhe partitë e vogla. Kjo i ndihmon ato sidomos për të përmbushur më lehtësi kushtin e pragut zgejdhor. Risi Sistemi proporcional sjell risi edhe në mënyrën e ndarjes së mandateve. Vendi është ndarë në 12 rajone dhe votat do të llogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit rajon. Megjithatë përveç një pjesëtimi që bëhet mes votave të marra të një subjekti politik në raport me numrin e deputetëve në një qark zgjedhor, merren në konsideratë dhe votat e mbledhura brenda një koalicioni. Sistemi zgjedhor bashkë me kodin zgjedhor sjell risi të tjera, një nga të cilat është se 30% e numrit të kandidatëve të secilës forcë politike në garë duhet të përbëhet nga gra. Numërimi Numërimi i votave ndërkohë do të bëhet në qendra të posaçme në të cilat KQZ do të ketë mundësi mbikqyrjeje. Kjo pasi në të gjitha qendrat janë vendosur kamera të cilat transmetojnë direkt, por dhe rregjistrojnë mënyrën e numurimit të votave. Për zgjedhjet e 28 qershorit janë rregjistruar 3.1 milion votues, bazuar në rregjistrin kombëtar elektronik. Ata, duke votuar sipas sistemit të ri, do të zgjedhin deputetë të përcaktuar në lista paraprake. Pavarësisht nga vlerësimet se sistemi favorizon partitë e mëdha, mendohet se ai do të sjellë një stabilitet më të madh politik në parlament. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||