|
Serbia - Pavarësia "akt antijuridik" | |||||||||||||||||||||||
Serbia ka hedhur poshtë me vendosmëri shpalljen e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Ndërsa në Prishtinë ishte në përfundim e sipër ceremonia e shpalljes së pavarësisë, në Beograd si kreu shtetëror i Serbisë, presidenti Boris Tadiq, dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica, përsëritën se Serbia vendosmërisht e përgjithmonë i kanë anuluar të gjitha vendimet për shpalljen e pavarëisisë. Kryeministri serb Koshtunica tha se pavarësia e njëanshme dhe të gjitha aktetet e ardhshme të Kosovës do të quhen "vendime antijuridike". Ai fajësoi për këtë atë që ai e quajti "politikë destruktive, të egër e jomorale që zbatojnë Shtetet e Bashkuara". "Duke vënë dhunën mbi parimet e të drejtës ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zbatimin e forcës së verbër nënçmuan dhe detyruan Bashkimin Evropian të shkelë parimet mbi të cilat mbështetet vetë BE-ja," tha zoti Koshtunica në një fjalim televiziv që u ndoq edhe nga disa dhjetra serbë në disa rajone të Kosovës. "Evropa sot uli kokën dhe prandaj edhe ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha pasojat afatgjata që kjo dhunë do të ketë për rendin evropian dhe botëror," tha kryeministri serb. Zoti Koshtunica tha se SHBA dhe aleatët e tij evropianë "do të shkruhen me germa të zeza në historinë e Serbisë dhe çdo histori e së drejtës ndërkombëtare dhe e rendit botëror të mbështetur mbi të." Ndërkaq edhe presidenti Boris Tadiq, në një deklaratë me shkrim ka theksuar se Serbia kurrë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, shteti serb nuk do të ndërmarrë hapa të ngutshëm, ndërkohë që nga UNMIK-u dhe KFOR-i zoti Tadiq ka kërkuar shkallën më të lartë të sigurisë për serbët. Edhe Tadiq edhe Koshtunica kanë lënë të kuptohet se Kosovën, pavarësisht vendimit të sotëm, do të vazhdojnë ta shohin e ndjejnë pjesë të Serbisë. Në Beograd është konfirmuar edhe zyrtarisht fillimi i protestave në mbarë Serbinë. Radikalët kanë kërkuar që së shpejti në Beograd të organizohet një protestë e përbashkët të partive qeverisëse dhe të opozitës. Menjëherë pas fjalimit të kryeministrit Koshtunica një grup qytetarësh është mbledhur përpara ambasadës amerikane në Beograd. Midis ndërtesës dhe protestuesve që kritikonin politikën amerikane ndaj Kosovës, ishte vendosur një kordon policësh. Kabineti i presidentit të Serbisë të dielën në mbrëmje ka njoftuar se presidenti Tadiq niset për në Nju Jork ku do të asistojë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. | LOKALE Kosova shpall pavarësinë17 shkurt 2008 | Faqja Kryesore Bush garanton kundër dhunës në Kosovë17 shkurt 2008 | Faqja Kryesore Misioni i BE-së në Kosovë javën e ardhshme16 shkurt 2008 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||