|
Panik në Turqi për gripin e shpendëve | |||||||||||||||||||||||
Shumë njerëz në panik po dynden në spitale në Turqinë lindore ku ditët e fundit kanë gjetur vdekjen tre fëmijë të një familjeje për shkak të gripit të shpendëve. Korrespondentja e BBC-së në spitalin e qytetit të Dogubayazit thotë se atje ka shenja paniku ndër prindërit që sjellin fëmijët për mjekim. Njerëz që mendojnë se kanë simptoma të gripit të shpendëve janë dyndur për tek mjekët, prindër duke mbajtur në krahë fëmijë me temperaturë të lartë apo me frymëmarrje të rëndë. Megjithatë nuk ka shenja se ata janë të infektuar nga sëmundja. Turqia po lufton tani për të ndalur përhapjen më tej të virusit të gripit të shpendëve. Të paktën tetë mijë shpendë janë eliminuar ndërsa vazhdojnë përpjekjet për ndaljen e virusit. Këtë fundjavë ekipe me personel të veshur me veshje mbrojtëse do të dalin për kontrolle në të gjithë rajonin për të grumbulluar shpendët me syniminin për t'i eliminuar. Tri fëmijët që gjetën vdekjen nga gripi i shpendëve kishin pasur kontakt të drejtëpërdrejtë me pula të infektuara. Në qytetin e tyre, gati një javë pas vdekjes së parë, deri tani janë eliminuar vetëm gjysma e shpendëve. Disa familje ankohen se askush nuk dëshiron të grumbullojë shpendët e tyre, ndërsa të tjera janë duke rezistuar. Megjithatë ende nuk ka shenja se virusi po përhapet tek njerëzit. Ky lloj zhvillimi, shprehin frikën shkencëtarët, mund të shkaktonte një epidemi të madhe. Një laborator në Londër do të zhvillojë javën e ardhshme analiza të tjera me mostrat e dërguara nga Turqia për të parë nëse ka shenja se virusi ka pësuar transformim. | LOKALE | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||