|
Raport i parlamentit britanik për Ballkanin | |||||||||||||||||||||||
Të mërkurën Komisioni i Jashtëm në parlamentin britanik ka bërë publik një raport për stabilitetin në Ballkan. Parlamenti britanik thotë se mbetet shumë i interesuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë. Kjo për arsye se ky rajon do të kufizohet me Bashkimin Evropian pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2007. Komisioni i parlamentit britanik ka mbledhur dëshmi dhe vlerësime nga shumë ekspertë dhe diplomatë, përfshirë Ministrin e Shtetit për Evropën, Denis McShane. 48 konkluzione dhe rekomandime jepen për Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Konkluzioni i parë është se aderimi i këtyre shteteve në Bashkimin Evropian është i mirëpritur, me kusht që ato të përmbushin kriteret e anëtarësimit. Ata thonë se Bashkimi Evropian duhet të jetë më dorëlëshuar financiarisht për vendet e rajonit, për të mos lejuar krijimin e një rajoni të varfër ngjitur me kufijtë e tij. Shqipëria, Greqia dhe vendet e tjera fqinje si Bullgaria, Hungaria dhe Rumania duhet të shtojnë bashkëpunimin rajonal dhe të mbështesin projektet e infrastrukturës në Ballkan. Disa rekomandime bëhen për Kosovën. Komisioni i Jashtëm i parlamentit britanik kërkon që çështja e statusit të Kosovës të zgjidhet sa më shpejt dhe të ketë përpjekje të vazhdueshme për të zgjidhur tensionet. Në raport thuhet se suksesi në Kosovë do të jetë jetik për stabilitetin në Evropën Juglindore. Për parlamentin britanik të drejtat e pakicave janë thelbësore dhe të panegociueshme dhe duhet të ketë një dialog të përshtatshëm mes Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhjen e çështjes së statusit. Raporti rekomandon emërimin e një të dërguari të posaçëm për ta ndihmuar dialogun. Ai kërkon reformimin e UNMIK-ut, sidomos kur është fjala për ato që ai i quan mosarritje në ekonomi. Qeveria britanike do t'i studiojë këto rekomandime për dy muaj për të dalë me një reagim. Rekomandimet nuk janë të detyrueshme për t'u zbatuar. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||