BBCAlbanian.comNews image
Përditësimi: Botuar: E mërkurë, 23 shkurt 2005 - 15:43 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Raport për Ballkanin perëndimor
Nga punimet në parlamentin britanik
Britania thotë se ka interes të madh në Ballkanin perëndimor
Komisioni i Jashtëm i parlamentit britanik ka bërë publik të mërkurën një raport për stabilitetin në Ballkan.

Raporti nënvizon se parlamenti britanik mbetet shumë i interesuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë.

Albana Kasapi bisedoi me Donald Anderson, kryetarin e komisionit të jashtëm të parlamentit dhe fillimisht e pyeti, se cila është arsyeja pas një interesimi të tillë?

Anderson: Jo vetëm parlamenti britanik, por dhe populli britanik e banorët e vendeve të Bashkimit Evropian, për arsyen se po t'i hedhësh një vështrim të shkurtër hartës së Evropës, sheh se Ballkani perëndimor ësht pjesa e vetme që i mungon atij mozaiku dhe kjo do të shihet edhe më shumë pas anëtarësimit të Bullagarisë dhe Rumanisë në vitin 2007.

Ne kemi po ashtu interes që ky rajon të jetë i qëndrueshëm dhe nëse ne nuk shkojmë në Ballkanin perëndimor, për të kërkuar promovimin e stabilitetit, për të ndërtuar ura të reja mirëkuptimi, bashkëpunim ekonomik, me vendet e rajonit, është e qartë se ekziston rreziku se nëse nuk do të ketë stabilitet, mungesa e tij do të vijë tek ne në formën e imigrantëve ilegalë, drogës dhe në ato forma që mund të prishin qetësinë e Evropës.

Ne kemi interes, dhe shpresoj se dhe një mision, për të kompletuar pranimin e të gjithë këtyre vendeve, që është e mundshme, në BE.

BBC: Në raport thuhet se anëtarësimi i këtyre vedneve, dhe Shqipërisë në Be-së është i dëshirueshëm dhe se BE-ja duhet ti ndihmojë financiarisht...

Anderson: Është e qartë që si fillim, të pranohet se ne të gjithë kemi interes në përfshirjen e këtyre vendeve në BE, por kjo do të kërkojë kohë. Nga ana jonë, do të jetë një çështje e ushqimit, inkurajimit, bashkëpunimit dhe pjesërisht çështje financiare, pjesërisht nëpërpjet asistencës teknike dhe një procesi pune hap pas hapi, që këtyre vendeve t'u hapet një perspektivë që të punojnë drejt përfshirjes në BE.

BBC: Shqipëria, z. Anderson, ka nisur me BE-në bisedimet për procesin e asociim-stabilizimit, por negociatat e saj duket se po zgjasin më shumë nga, psh.:Maqedonia.

Anderson: Sigurisht, sepse problemi me Shqipërinë ka qenë fillimi i ngadaltë dhe ky nuk është faj i qeverisë së tanishme. Regjimi i Enver Hoxhës, psh, i gjithë sistemi, kishte mbetur shumë mbrapa...Shqipëria, me gjithë angazhimet e qeverisë, ka përpara një sfidë më të madhe për t'u pozicionuar dhe prandaj dhe përgjigja e BE-së duhet ta marrë plotësisht parasysh këtë.

BBC: Në raport ka shumë rekomandime për Kosovën, por fillimisht të ndalemi tek njëri. Ju thoni që statusi i Kosovës duhet përcaktuar sa më shpejt të jetë e mundur. Kur?

Anderson: Nuk do të bëhet këtë vit, por problemi sigurisht do të shqyrtohet këtë vit. Ne kemi takuar z. Kai Aide...që u ngarkua nga Sekretari i Përgjithshëm I OKB-së me detyrën që të shqyrtonte problemet e Kosovës pas trazirave të marsit. Ai ka bërë një seri rekomandimesh.

Ne mbështetëm në përgjithësi atë që thotë ai, se efektivisht, në fund të fundit, Kosova do të bëhet pjesë e BE-së, është një rast i vështirë dhe duhet të ketë një perspektivë për këtë. Por në të njëtën kohë, qeveria e Kosovës duhet ta pranojë se duhet të garantohen të drejtat e pakicave është e pamundur që kriteret për anëtarësim të zbuten...

BBC: Ju thatë se statusi i Kosovës nuk do të përcaktohet këtë vit?

Anderson: Nuk ka asnjë mundësi që të merret një vendim që në verë të këtij viti e statusi i Kosovës të ndryshojë.

Të gjithë e pranojnë se do të ketë bisedime se si do të shkohet drejt statusit përfundimtar, dhe shpresoj që këto bisedime të jenë sa më pozitive dhe të pranojnë se tek e fundit, Kosova do të jetë pjesë e Be-së. Do të duhet kohë dhe të dyja palët duhet të bëjnë pjesën e tyre.

BBC: Në raport flitet dhe për nevojën e reformimit të UNMIK-ut dhe për një përfshirje më të madhe të BE-së në Kosovë. Me këtë, keni parasysh ndërrimin e misionit të OKB-së me një organizëm evropian?

Anderson: Kjo është çështje që do të zgjidhet gradualisht. Efektivisht UNMIK-ut, për shkak të rezolutës së OKB-së, do t'i mbetet përgjegjësia për Kosovën, por gjithmonë e më shumë, puna konkrete në terren do të bëhet nga BE-ja. Pjesa e UNMIK-ut do të bëhet gjithmonë e më pak e rëndësishme...

BBC: Ju përmendi nevojën për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit. Pse?

Anderson: Sepse për shkak të gjendjes kushtetuese, Kosova mbetet pjesë e territorit të Serbisë. Kjo sigurisht që bëhet gjithmonë e më pak realiste se nuk ka asnjë mundësi që Serbia, në fund të fundit, të ketë sovranitet mbi territorin e Kosovës dhe kjo duhet të pranohet, dhe duhet të bëhen gjithmonë e më shumë përpjekje nga ana e komunitetit ndërkombëtar për të ndërtuar ura mes Beogradit dhe Prishtinës.

Por në të njëjtën masë, autoritetet e Prishtinës do të kenë një detyrë të madhe të garantojë se komuniteti serb nuk do të diskriminohet...

BBC: Në raportin tuaj ka dhe rekomandime për Maqedoninë. Ju thoni se Britania e Madhe duhet ta njohë Maqedoninë me këtë emër:..

Anderson: Është e vërtetë, është i vetmi vend në botë që nuk e quan dot veten si dëshiron...Greqia ka një lidhje emocionale me këtë emër, por kjo po bëhet gjithmonë e më shumë më pak realiste...Ne duhet ta pranojmë realitetin...

BBC: Ju thonë po ashtu se duhet të vazhdojë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Pse është kjo marrëveshje me kaq rëndësi?

Anderson: Sepse ajo ishte marrëveshja, kompromisi, që i dha besim pakicës. Gjërat mund të kishin shkuar për keq në referendumin e vjeshtë së shkuar, por banorët e Maqedonisë bënë vlerësim të mirë dhe kundërshtuan atë që do të kishte penguar gjithë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përbën bazën e rrugës përpara për Maqedoninë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>