BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 16 janar 2011 - 12:40 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Sërish të shtëna në kryeqytetin tunizian
Pamje nga protestat që çuan në përmbysjen e presidentit
Ushtria tuniziane ka vazhduar të patrullojë rrugët në qytetet kryesore
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sërish në kryeqytetin tunizian.

Disa nga të shtënat kanë ndodhur jashtë selisë së partisë kryesore të opozitës, PDP, e cila ka filluar bisedimet për krijimin e qeverisë së re të unitetit.

Zyrtarët partiakë thanë se të shtënat filluan kur policia ndaloi një makinë me njerëz të armatosur.

Ndërkohë, ish-shefi i forcave të sigurisë së ish-Presidentit, Ali Seriati, është arrestuar me akuzat për nxitjen e dhunës.

Udhëheqësit politikë në Tunizi janë duke punuar për të mbushur vakumin politik pasi presidenti Ben Ali u arratis për në Arabinë Saudite pas një kryengritjeje popullore.

Kryeministri, Mohamed Ganuçi, është duke zhvilluar bisedime me partitë e opozitës për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.

Një udhëheqës i opozitës, Naxhib Çebi, tha se reforma të thella lipseshin në vend.

Edhe kreu në mërgim i Partisë Islamike të Tunizisë, Rashid Ganuçi, tha se ai do të përgatitej për t'iu bashkuar koalicionit.

Është premtuar se zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen brenda dy muajsh.

Ndërkohë, ushtria tuniziane ka vazhduar të patrullojë rrugët në qytetet kryesore për të penguar shpërthimin e dhunës për shkak të vakumit politik.

Pas një nate të shtënash sporadike në kryeqytetin Tunis, ka pasur shenja tentimi për rikthimin në jetën normale nëpër qytete.

Disa dyqane dhe kafene u rihapen dhe disa makina tregtarësh u panë nëpër rrugë.

Ndërkohë, banorët thanë se bllokimet e rrugëve po hiqeshin në periferi të qytetit.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>