BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 15 janar 2011 - 12:47 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Në Tunizi vazhdon situata e dhunshme
Dhunë në Tunizi
Gjatë natës në Tuniz ndodhën plaçkitje dhe u vu zjarri ndërtesave
Në Tunizi vazhdojnë trazirat, një ditë pasi protestat masive e detyruan presidentin e vendit Zine al-Abidine Ben Ali, që të jepte dorëheqjen.

Ushtria ka mbyllur të gjitha hyrjet në qendër të kryeqytetit, Tuniz pas një nate të shënuar nga plaçkitjet dhe gjatë së cilës iu vu zjarri disa ndërtesave.

Në qytetin Monastir si pasojë e një zjarri në burg humbën jetën shumë njerëz.

Një mjek vendas i tha BBC-së se më shumë se 40 vetë kishin humbur jetën.

Ka njoftime të pakonfirmuara se trazira ka patur edhe në burgje të tjera.

Dhuna vjen pasi Këshilli Kushtetues i Tunizisë njoftoi se kryetari i Parlamentit, Fouad Mebezza, ishte caktuar si president i përkohshëm dhe zgjedhjet do të mbaheshin brenda 60 ditësh.

Më herët kryeministri Mohammed Ghannouchi, u bëri thirrje tunizianëve që të ndihmonin për vendosjen e rendit.

Megjithë ndalimin shumë strikt të qarkullimit gjatë natës pati dhunë dhe shkatërrime në shumë pjesë të Tunizisë.

Stacioni kryesor i trenit në kryeqytet ishte një prej shumë ndërtesave që u dëmtuan nga zjarri.

Situata politike nuk është e qartë. Ka njoftime se partitë e opozitës janë takuar për të vendosur për rrugën përpara.

Reagime nga jashtë

Mijëra protestues që mbushën rrugët ditët e fundit vazhdojnë të kërkojnë reforma ekonomike dhe politike.

Me një prani kryesisht ushtarake në rrugë, vendi nuk e ka ende të qartë se kur dhe nëse kjo do të lejohet që të ndodhë.

Franca ka bërë thirrje për zgjedhje të lira në Tunizi sa më shpejt të jetë e mundur.

Një deklaratë presidenciale bëri thirrje për dhënien fund të dhunës në rrugë.

Ministria e jashtme egjiptiane tha se ishte duke i ndjekur nga afër zhvillimet në Tunizi dhe se Egjipti respektonte zgjedhjet e popullit egjiptian.

Liga Arabe u ka bërë thirrje të gjitha partive politike në Tunizi të mbeten të bashkuara.

Por shumica e qeverive arabe kanë qëndruar në heshtje.

Reagimet më të mëdha kanë qënë në faqet sociale në internet.

Ato janë mbytur nga mesazhet përshëndetëse për popullin tunizian.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>