|
Ngacmimet kibernetike rrezik për fëmijët | |||||||||||||||||||||||
Kur fëmijët i dërgojnë njëri-tjetrit mesazhe përmes internetit, ose në telefonat e tyre, në përpjekje për të ngacmuar, turpëruar dhe kërcënuar njëri-tjetrin, kjo gjë njihet si cyber bullying (ngacmime kibernetike). Në një studim të fundit amerikan, një ndër pesë të rinj (kjo gjë është vlefshme edhe në Britani) e kanë provuar një gjë të tillë. Në disa raste ekstreme ngacmime të tilla kanë çuar edhe në vetëvrasje. Historia e Georgias Disa vjet me parë kur Georgia ishte 12 vjeç, ndarja me një grup shokësh çoi në një fushatë të dhimbshme mesazhesh kundër saj të dërguara me telefon edhe përmes internetit. "Kur kthehesha nga shkolla dhe kontrolloja mesazhet, atje gjeja 3-10 mesazhe në ditë ku thuhej se më kishin inat. Në shkollë nuk ndihesha e sigurt, por mesazhet më bënin të mos ndihesha mirë as në shtëpinë time," tregon Georgia. "Fillimisht i fshija mesazhet. I lexoja njëherë, pasi mund të kishte diçka tjetër. Unë doja ta dija se çfarë thonin për mua. Nuk doja ta dëgjoja nga të tjerët," tregon vajza. Një i ri tjetër që ka provuar ngacmime të tilla kibernetike është edhe djali trembëdhjetëvjeçar i Sally Cope. "Kur flas me rinjt i pyes përse nuk e fikin kompjuterin? Por është një farë impulsi i frikshëm që i shtynë të marrin vesh se çfarë thonë të tjerët për ta". "Kur unë kam qënë në shkollë ngacmimet bëheshin në oborrin e shkollës, ose rrugës për në shtëpi, por tani këto ngacmime ndodhin në shtëpinë tënde, që në fakt duhet të jetë një vend i sigurt, e që nuk është", thotë Sally Cope. Georgia thotë se tek mesazhet problemi qëndron në faktin që ato perceptohen në mënyrë tjetër, pasi nuk ka zë, nuk ka tonalitet. Megjithatë Georgias i pëlqen mesazhet e shpejta, atje nuk ka kufizime, shton ajo. Sonia, 18 vjeçare i ka përdorur faqet sociale në internet që kur ishte 13 vjeç dhe ajo i shikon kështu ngacmimet kibernetike: "Ata thonë gjëra, por në shkollë sy më sy nuk thonë asgjë, ata mendojnë se bëhen të këqinj të fshehur pas kompjuterave." Këshillim për t'u mbrojtur Jim Gamble, drejton njësinë britanike që lufton shfrytëzimin e fëmijëve përmes internetit. Ai përpiqet që t'i edukojë të rinjt që të jenë më të përgjegjshëm lidhur me atë që thonë dhe bëjnë në internet. "Nëse njerëzit besojnë se ka pasoja për sjelljen e tyre, atëherë ka më pak gjasa që ata të përfshihen në këtë", thotë ai. "Në realitet fëmijët hyjnë në internet në moshë të re, por disa faqe interneti sociale thonë se kushtet e pranimit e bëjnë të qartë që duhet të jesh të paktën 13 vjeç. Ju e dini fëmijët thonë që janë 13, por mund të jenë 12 apo 11 vjeç dhe na duhet ta njohim këtë realitet", thotë zoti Gamble. Lily Rowland që është 12 vjeç thotë se dikush kishte hyrë në postën e saj elektronike dhe i kishte dërguar të tjerëve mesazhe të këqija, gjë që bëri që të dukej sikur ajo i kishte dërguar mesazhet. "Mesazhet ishin të pahijshme si për shembull "le nam gjatë orës së mësimit". Të gjithë i bëjnë këto gjëra dhe i quajnë dhunim të Facebook-ut", tregon Lily. Hyrja në profilet private të të tjerëve në faqet sociale në internet, për të dërguar mesazhe, apo thjesht për të shkruar për veten, mund të çojnë në keqkuptime serioze. Por Sonja 18 vjeçare që ka mbi 600 miq në Facebook, thotë se e ka parë të ndodhë shpesh si shaka. "Diçka që mund të shkruhet nga të tjerët në statusin tënd është "jam homoseksual. Një mesazh në Halloween ishte "I kam qejf burrat që veshin kostum të Halloween-it. Budallëqe të tilla, i shoh gjithmonë", thotë ajo. Ngacmimet kibernetike për Georgian vazhduan, derisa një ditë gjatë një ore mësimi, ajo shkoi në banjë në përpjekje për t'i dhënë fund gjithçkaja. "Unë mendova se nëse nuk isha këtu, të gjithë do të ishin të lumtur", tregon ajo. Djali i Sally Cope, si Georgia, u përpoq të vetëvritej dhe tragjikisht ia arriti. Askush nuk u gjykua për rastin e tij, por Jim Gamble mendon se ligji duhet të veprojë edhe mbi ata që kryejnë ngacmime kibernetike. "Nuk kemi nevojë për një ligj të ri," thotë ai, "kemi nevojë për mendësi të reja." "Duhen identifikuar çështjet e duhura dhe ato të gjykohen. Është çështje e ndjeshme, sepse një gjë e veçantë që arrihet, përveç të tjerave, është fakti që krijon parandalim," thotë zyrtari britanik për luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve në internet. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||