BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 10 janar 2011 - 16:14 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kalvari i viktimave afrikane të Sinait

Migrantë afrikanë
Shumë prej migrantëve që nisen për në Europë nuk mbërrijnë atje
Europa është ende një destinacion tërheqës për migrantët e varfër afrikanë që janë të përgatitur të rrezikojnë jetën e tyre në udhëtime të rrezikshme përmes detit Mesdhe.

Shumë prej tyre nuk arrijnë të shkojnë larg dhe e gjejnë veten të zënë peng në shkretëtirën e gjerë egjiptiane të Sinait.

Gjatë kohës që ata gjenden atje, trafikantët e qënieve njerëzore, fitojnë mijëra dollarë dhe në disa raste i përdhunojnë dhe abuzojnë këta migrantë.

BBC u takua me trafikantë dhe viktima gjatë këtij udhëtimi të rrallë.

Takim në errësirë

Takimi i parë sekret bëhet natën. Për rreth 1 milje ndjekim një makinë fuoristrada Toyota, e cila na çon në mes të shkretëtirës në cepin lindor të gadishullit Sinai.

Qielli është përplot me yje, ndërsa disa kilomentra më larg, shkëlqejnë dritat e Izraelit.

Në këtë kamp, ku shihen të parkuara katër makina të mëdha kemi ardhur për të biseduar me trafikantët, njerëz që i përkasin fiseve beduine e që trafikojnë qindra e mijëra afrikanë në anën tjetër të kufirit në Izrael.

Të ulur përreth zjarrit pesë beduinë tymosin cigare e pinë çaj me gota të vogla.

Ata nuk nxitojnë të flasin dhe sjellin dy afrikanë të rinj që janë nga Eritrea.

Njëri prej tyre quhet Amar dhe është vetëm 15 vjeç.

Pasi bisedojmë me të, bëhet menjëherë e qartë që ai mbahet peng.

Kur pyetet përse nuk shkon në Izrael, ai thotë se nuk ka para.

Ndërsa kur e pyesim se sa para kërkojnë beduinët, ai tregon se i vëllai ka marrë në telefon për t'i thënë se mund të dërgojë dymijë dollarë.

Ata tani përpiqen të bëjnë një marrëveshje.

Beduinët e pranojnë se kanë dëgjuar se disa trafikantë të tjerë i dhunojnë migrantët, por thonë ata thonë për veten se nuk përdorin dhunë.

Ata thjesht refuzojnë t'i kalojnë migrantët në anën tjetër të kufirit, nëse ata nuk paguajnë.

"Shpesh afrikanët nuk kanë para dhe ne na duhet t'i ushqejmë ata. Nga 30 ndoshta vetëm dhjetë mund të paguajnë. Në këtë lloj situate ne humbasim para," thotë një prej beduinëve.

Vuajtjet vazhdojnë

Sinai
Sinai është një vend i madh ku nuk fuksionojnë ligjet

Nga shkretëtira e Sinait shkojmë në Tel Aviv.

Qindra migrantë nga Eritrea, Etiopia dhe Sudani mblidhen në një klinikë të qytetit që drejtohet një grup që quhet Physicians for Human Rights (mjekë për të drejtat e njeriut).

Në këtë strehë, fillon të dëgjosh për tmerret që kanë kaluar migrantët afrikanë në duart e trafikantëve.

Një vajzë e re nga Etiopia pranon të flasë. Atë e quajmë Amira pasi ajo nuk pranon të japë emrin e vërtetë.

"Na u tha që të paguajmë dymijë dollarë, por kur shkuam në Sinai filluan të na rrahin dhe na bënë që të pranojmë të paguajmë tremijë dollarë. Ata na lanë zhveshur nën diellin e shkretëtirës", tregon Amira.

Burrat u detyruan që të shikonin se si gratë e tyre përdhunoheshin para syve të tyre.

Amira tregon se si trafikantët mund ta merrnin para makinës dhe bënin çfarë të donin, vuajtje këto që ishin shumë të rëndë edhe për të shoqin.

Nga dëshpërimi bashkëshorti i Amirës u sëmur dhe vdiq, por ai nuk është i vetmi.

"Të gjithëve u kishte ikur mendja prej frikës. Nuk vdiq vetëm im shoq", tregon ajo, "por edhe gjashtë burra të tjerë. Nuk arrita ta varros tim shoq", thotë duke qarë Amira.

Histori si kjo e Amirës nuk janë raste të izoluara. Ran Cohen drejtor i grupimit Mjekët për të Drejtat e Njeriut thotë se po dokumentojnë gjithnjë e më shumë raste të dhunës sistematike të kryer prej trafikantëve:

"Gratë përdhunohen. Burrat në shumë raste varrosen në rërë dhe lihen atje për ditë të tëra. Këtu kemi njerëz që kanë kaluar trauma. Gratë kanë nevojë për aborte. Gjashtë muajt e fundit kemi çuar në spital më shumë se 100 gra për aborte, për shkak të abuzimeve seksuale në Sinai", thotë Ran Cohen.

Më shumë se njëmijë afrikanë kalojnë çdo muaj shkretëtirën për në Izrael.

Sinai është një vend i madh dhe që nuk fal.

Atje nuk ka ligje dhe askush nuk e di sesa migrantë afrikanë mbahen peng, përdhunohen, vriten apo lihen të vdesin në shkretëtirë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>