BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 04 janar 2011 - 17:58 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Marine Le Pen në gjurmët e të atit ultranacionalist

Marine Le Pen
Marine Le Pen beson beson se ajo mund të fitojë presidencën
Partia franceze e ekstremit të djathtë, Fronti Nacional pritet të zgjedhë presidentin e ri këtë muaj.

Udhëheqësi aktual i Frontit Nacional, Jean-Marie Le Pen, - që garoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ndaj presidentit në largim Jacques Chirac ne 2002, - po largohet nga posti.

Fushata e brendshme për të zgjedhur liderin përfundon me votën e 75000 anëtarëve të partisë.

Për kreun e partisë, kandidojnë Bruno Gollnisch, që ka qënë për pak kohë lideri i nje grupi të ekstremit të djathtë brenda Parlamentit Europian dhe Marine le Pen, vajza e vogël e Jean-Marie.

Për dyzet vjet Jean Marie Le Pen ka sunduar një prej lëvizjeve më të suksesshme dhe më të frikshme ultranacionaliste në Europë.

Në 2002 ai shokoi Francën duke kaluar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Sot në moshën 82 vjeçare, babai i partisë është gati të largohet dhe ai po mbështet të bijën, Marine si pasuesen e tij.

"Politika më ka përpirë, dëshira për të vazhduar luftën e tim eti, për të vazhduar luftën e tij për francezët dhe Francën, sepse nëse ne nuk e bëjmë këtë, nuk mendoj se mund ta bëjë dikush tjetër", ka deklaruar Marine Le Pen.

Marine, nuk është Zhan D'Ark, simboli i adoptuar në emblemën e partisë.

Ajo vishet me xhinse, është divorcuar dy herë, nënë e tre fëmijëve, është pro abortit dhe nuk ka qënë prioritet i ultra-katolikëve.

Ata që e kanë takuar Marine Le Pen pajtohen se ajo është shumë tërheqëse dhe është e vështirë të mos e pëlqesh, cilësi këto që e bëjnë atë politikane të shkëlqyer.

Nonna Mayer është eksperte e politikës së ekstremit të djathtë në Universitetin Sciences Po në Paris.

"Ajo i përket brezit të saj dhe nuk ka nostalgji për Luftën e Dytë Botërore," thotë zonja Mayer.

"Ajo nuk ka nostalgji për debatin e gjatë për Algjerinë franceze. E gjithë kjo është në të kaluarën.

"Ajo shikon përpara dhe ka të njëjtat ide si babai i saj për ierarkinë, pabarazinë, dy llojë shtetasish, francezët e vërtetë dhe pjesa tjetër."

"Kjo është kundër parimeve të Republikës Franceze, por ajo i përmbledh ato një mënyrë më të mirë dhe të butë. Ajo është mjaft popullore dhe mediatike," thotë Nonna Mayer.

Pengesa e Marinës

Ai që është pengesë për Marine Le Pen quhet Bruno Gollnisch, i cili ka qënë prej vitesh dora e djathtë e kreut Jean Marie Le Pen.

Disa thonë zoti Mister Gollnisch i takon pjesës së vjetër të partisë, ndërsa Marine tendencave të reja.

Megjithatë për çështje si emigracioni idetë e tyre janë gati të njëjta.

"Politika jonë tani është që të ndalet dhe, nëse është e mundur, të ndryshohet tendenca e imigracionit masiv në vendin tonë dhe kjo të bëhet me vendosmëri, por në mënyrë paqësore."

"Ne jemi në favor të preferencave kombëtare. Ne nuk mendojmë që francezët do të preferonin që t'u jepeshin të huajve shtëpitë, vendet e punës, ndihmat sociale, shkollat e të tjera si këto," thotë Bruno Gollnisch.

Skenari që i druhen kundërshtarët e Frontit Nacional, është që një prej këtyre dy kandidatëve të përparojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, në kurriz të presidentit gjithnjë e më pak popullor Nicolas Sarkozy.

Në vitin 2002, kur Jean Marie Le Pen mori 17 për qind të votave, votuesit e qendrës së majtë votuan për presidentin në largim Jacques Chirac.

Nëse do të përballen me të njëjtin skenar, a do të jenë gati zgjedhësit e qendrës së djathtë që të votojnë për një kandidat të krahut të majtë?

Marine Le Pen nuk mendon se ata do ta bëjnë këtë.

Në të kaluarën Fronti Nacional ishte i kënaqur si një parti e skajshme.

Marine ka ide shumë të ndryshme dhe beson se batica politike në Europë po lëvizë në anën e tyre.

"Fitorja e zgjedhjeve presidenciale është qëllimi i çdo partie politike për të ardhur në Paris e zbatuar këto ide", thotë Marine Le Pen.

Në zgjedhjet e 2002 pati protesta në rrugë ku shprehej indinjata përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, si edhe një lëvizje shumë popullore kundër Frontit Nacional.

Nonna Mayer, nga universiteti Sciences Po në Paris, është e bindur se e njëjta gjë mund të ndodhë përsëri, nëse Marine përsërit suksesin e të atit.

"Përsa i takon Marine Le Pen duhet të mos harrojmë se megjithëse ajo përfaqëson një ekstrem të djathtë më të butë sesa i ati, ajo përsëri shihet nga shumica e francezëve si mishërimi i ekstremit të djathtë."

"Ende Fronti Nacional shihet nga më shumë se gjysma e votuesve si një rrezik për demokracinë", thotë Nonna Mayer.

Një sondazh i fundit sugjeron se Marine mund të dalë e treta vitin e ardhshëm me 13 për qind të votave.

Ky rezultat është më i mirë sesa i sondazheve për të atin në 2001.

Në kohën që presidenti Sarkozy duket se ka ngecur në vend dhe kur qendra e majtë është e shënuar nga ngatërresat, Marine Le Pen mund të bëhet një kundërshtare e rrezikshme.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>