|
Hungaria përballë kritikave për ligjin e medias | |||||||||||||||||||||||
Hungaria ka hedhur poshtë kritikat nga perëndimi lidhur me ligjin e ri për median duke këmbëngulur se është e angazhuar për lirinë e shtypit. Ky ligj që hyri në fuqi me vitin e ri, ka krijuar një autoritet të ri me fuqi për të monitoruar dhe vendosur gjoba mbi median. Disa politikanë europianë dhe gazeta kanë shprehur shqetësimin se këtij rregullatori të ri i mungon pavarësia. Por Hungaria që sapo ka marrë presidencën e BE-së, thotë se këto shqetësime janë të pabaza. Në bazë të ligjeve të reja, Autoriteti i Hungarisë për Median (NMHH), mbikëqyr të gjitha produksionet e lajmeve dhe ka fuqinë për të gjobitur radio-televizionet dhe gazetat për shkeljen e "interesit publik, moralit publik apo të rendit". Kritikët thonë se autoriteti dominohet nga njerëz që janë besnikë të partisë së qendrës së djashtë Fidesz, të cilës i përket kryeministri Viktor Orban. Vendet e BE-së, ku bëjnë pjesë Britania, Gjermania dhe Luksemburgu kanë shprehur shqetësimet e tyre se ligji kufizon lirinë e medias. Lidhur me këtë, zv/presidenti i Komisionit Europian, Neelie Kroes ka dërguar një letër në Budapest në fund të dhjetorit, përmes së cilës kërkon më shumë informacione lidhur me përmbajtjen e ligjit. Gazetat hungareze me prirje të majta e kanë denoncuar ligjin. Njëra prej tyre, Nepszabadsag, deklaroi në faqen e saj të parë të edicionit të fundit: "lirisë së shtypit në Hungari i erdhi fundi." Akuza 'absurde' Në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të Administratë Publike dhe Ministrisë së Drejtësisë, qeveria hungareze kundërshtoi kritika të ndryshme të bëra nga zyrtarë evropianë dhe gazeta të huaja. Në deklaratë thuhet se një tipar i zakonshëm i opinioneve të shprehura ishte fakti se "ato kishin mungesë njohurie të thellë për ligjin e ri." "Në vend që të formulojnë kritika specifike, ato janë një përmbledhje akuzash të pabaza dhe me të vërtetë absurde," thuhet në deklaratë. "Qeveria hungareze mbetet e angazhuar për lirinë e shtypit dhe në asnjë mënyrë nuk dëshiron t'u mbyllë gojën kritikave të opozitës." Në deklaratë thuhet se anëtarët e Autoritetit të Hungarisë për Median (NMHH), nuk kanë "lidhje zyrtare apo jo zyrtare me partinë në pushtet. "Autoritetet me një pavarësi më të vogël prej qeverisë nuk janë një gjë e pazakontë në mbarë Europën," shton deklarata. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||