|
Viti 2010 - 'historik për shtetësinë e Kosovës' | |||||||||||||||||||||||
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për BBC-në, tha se 2010-ta ishte një vit historik në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës. Ai ka pranuar se viti 2010, ishte një vit i sfidave dhe vështirësive të mëdha, por të tejkaluara më sukses. Duke folur për sfidat e vitit të ardhshëm, ai ka premtuar se Kosova në fund të vitit 2011 do të jetë shumë afër liberalizimit të vizave, ndërkaq në mandatin e tij katërvjeçar si kryeministër, ajo do të jetë anëtare e Natos. Roportin e Dick Marty-t, Thaçi e ka quajtur “raport racist”. Me z. Thaçi, foli korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Muharrem Nitaj. BBC: Kryeministër Thaçi po e mbyll edhe vitin e dytë kalendarik në një shtet të pavarur, një vit aspak i lehtë me shumë sfida. Do të doja që në këtë fundvit, ju, si njeriu i parë i ekzekutivit i shtetit më të ri në Evropë, të më jepnit një vlerësim për vitin e rëndë të Kosovës, vitin e dytë? Thaçi: Ishte një vit i përpjekjeve të mëdha, i një pune shumë vetëmohuese, por ishte një vit i suksesit të jashtëzakonshëm. Që në fillim të këtij viti ne filluam ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, një projekt madhor për vendin dhe qytetarët tanë, filluam projektin e realizimit të ëndrrave të qytetarëve të Kosovës, gjithashtu vazhduam me përpjekjet tona për njohje të reja për vendin tonë, kemi arritur në 72 njohje, jashtëzakonisht të fuqishme, pastaj vazhduam me përpjekjet tona për fitoren e jashtëzakonshme në GJND, duke njohur të drejtën ndërkombëtare të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa edhe në Asamblenë e Përgjithshme ishte një sukses solid për Kosovën. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe u ballafaquam me sfidat e rëndësishme të implementimit të kritereve demokratike të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave dhe perspektivën tonë euro-atlantike. Reformat kanë vazhduar gjatë tërë kohës, në ekonomi, legjislacion por edhe në politikë, prandaj sot kemi vendin tonë vend demokratik, të sundimit të ligjit, të përpjekjeve në luftë të pakompromis ndaj dukurive negative. E kisha përmbyllur konstatimin tim se viti 2010 ishte për Kosovën vit i suksesit historik në kuptimin e legjitimimit të shtetit dhe përpjekjeve sfiduese për zhvillimin ekonomik, por edhe për rendin dhe ligjin. BBC: Z. Thaçi po më flisni për sukseset historike të Kosovës në vitin kur Kosova pati shumë sfida, një prej tyre është riaktivizimi i procesit gjyqësor ndaj ish kryeministrit Haradinaj, një tjetër është shpërbërja e qeverisë, dorëheqja e presidentit, që në muajt e fundit u cilësia si krizë politike. Në fakt megjithatë u përballët me shumë vështirësi? Thaçi: Unë theksova në kuadër të suksesit jashtëzakonisht të madh që kemi arritur si shtet dhe shoqëri, kemi pasur edhe sfida, të cilat kanë qenë të koklavitura, por kemi arritur që bashkarisht t’i tejkalojmë. Edhe dërgimi i padrejtë i z.Haradinaj në Hagë ishte një lajm shumë i keq për shtetin, për popullin e Kosovës dhe për familjen e z.Haradinaj. Unë besoj në pafajësinë e tij të plotë dhe kthimin e tij në shtëpi dhe në jetën institucionale të Kosovës. Ndërsa sa i përket ballafaqimeve tjera që kemi pasur unë mund të them se as sot nuk dua t’i përzihem në asnjë rrethanë Gjykatës Kushtetuese në vendimin e vet sa i përket ish-presidentit Sejdiu në rastin e shkeljes së kushtetutës, ka qenë një vendim i autoriteteve të pavarura kushtetuese dhe për mua ka qenë i respektuar plotësisht. Pastaj ka ardhur rrethana tjetër, ajo e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme pas daljes së LDK-së nga institucionet e vendit. Zgjedhjet kanë ardhur si rezultat i largimit të presidentit nga presidenca apo shkarkimit të tij dhe në anën tjetër i braktisjes së institucioneve nga LDK-ja, nga presidenca, qeveria, kuvendi. Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin të suksesshme, të vlerësuara edhe nga ndërkombëtarët, ka mbetur për t’u plotësuar edhe ai vakuumi i izoluar demokratik dhe pastaj të fillojmë implementimin e rezultatit zgjedhor. BBC: Z.kryeministër, procesi i zgjedhjeve të 12 dhjetorit ndoshta ka qenë procesi më i komplikuar që ka pasur ndonjëherë Kosova dhe për herë të parë kemi një kontestim të këtyre zgjedhjeve nga disa forca të caktuara politike. Nuk besoj të ketë qenë shumë komode për ju kjo? Thaçi: Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur dhe sovrane, zgjedhje këto që arritën standarde të larta ndërkombëtare, të vlerësuara edhe prej SHBA-së dhe BE-së si dhe prej mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, por në të njejtën kohë edhe nga monitoruesit ndërkombëtarë të organizatës ENEMO. Ishin sfidë, por i kaluam bashkarisht, nuk ka kontestime, ka deklarime mospajtuese me rezultatin, por kjo është mungesë ose e kulturës politike, ose shprehje e pakënaqësisë me rezultatin zgjedhor që e kanë pritur disa parti politike dhe që nuk e kanë fituar besimin qytetar. Unë besoj që tani jemi në proces të rinumërimit të votave dhe do të kalojmë në procesin tjetër votues në Deçan, Skënderaj dhe Drenas më 9 janar dhe menjëherë në javën e parë pas kësaj do të fillojmë edhe zyrtarizimin e koalicionit për qeverinë e ardhshme me mandat katërvjeçar. BBC: Për koalicionin do të flasim më vonë, por ky fundviti ju sulmoi në formë shumë të veçantë përmes një raporti të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty me akuza ndoshta të padëgjuara edhe për ju personalisht. Si e keni përjetuar raportin? Thaçi: Unë kurrë në jetën time nuk kisha dëgjuar diçka të tillë. Raporti i Dick Martyt është një raport racist, proserb, gebelsian, duke sharë e sharë sa më tepër kundër shtetit të Kosovës, atij të Shqipërisë, drejtuar kundër kombit shqiptar, kundër konsolidimit dhe forcimit të shtetit, kundër njohjeve të reja dhe frymës euro-atlantike të Kosovës. Pra, Dick Marty ka vazhduar aty ku e kishte lënë Sllobodan Millosheviqi, duke kryer argatin me shërbime të fshehta serbe, por në të njejtën kohë duke përpunuar këto të dhëna edhe në Rusi. BBC: Janë paksa të ashpra reagimet tuaja z.kryeministër, në momente edhe emocionale. Më thoni për aspektin praktik se si ju eventualisht do të mund ta rrëzoni këtë që e quani raport racist? Thaçi: Këtë raport e rrëzon vetë realiteti, e rrëzon e vërteta dhe jo gënjeshtra dhe trillimi i Dick Marty-t. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë legale dhe politike për t’u ballafaquar me këtë padrejtësi, me një të pavërtetë prej më të rëndave drejtuar kombit shqiptar. Nuk është kjo shprehje emocionale, por është realitet. Unë do ta ndjek këtë çështje në kuptimin legal të ngadhënjimit të drejtësisë, mbi këto shpifje, intriga ndaj shtetit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajon, por raporti i Dick Marty-t është drejtuar edhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe kundër NATO-s, edhe kundër BE-së, presidentëve Clinton, Bush, kryeministrit Blair, gjithë personaliteteve dhe miqve që kam bashkëpunuar gjatë çlirimit të Kosovës dhe ndërtimit të pavarësisë, prandaj raporti i Dick Marty-t do të ketë pasoja për imazhin e shtetit të Kosovës, por e vërteta është në anën tonë. BBC: Keni thënë se po i hapni dyert edhe për një hetim nëse kërkohet? Thaçi: Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, këto shpifje të Dick Marty-t të bartura nga libri i Carla del Pontes dhe shërbimet serbe janë hulumtuar tri herë deri tani, një herë nga Tribunali i Hagës, pastaj nga UNMIK-u dhe nga EULEX-i, kështu që është në interesin e shtetit të Kosovës transparenca dhe natyrisht të rikonfirmohet e vërteta. BBC: Keni paralajmëruar ndjekje penale edhe ndaj Dick Marty-t në momentin që atij do t’i skadojë imuniteti? Thaçi: Unë jam shumë i vetëdijshëm për imunitetit të Dick Marty-t. Drejtësia vonohet por ngadhënjen, por do të punoj që mbi Dick Marty-n të fitojë drejtësia, në kuptimin legal, por edhe drejtësia e Zotit. BBC: Z.kryeministër, po kalojmë në një çështje tjetër e cila duket se do të jetë sfida e parë e juaja në vitin e ardhshëm. Menjëherë pas përfundimit të rivotimit në tri komuna në Kosovë, ju do të përballeni me sfidën e krijimit të qeverisë. Si do ta krijoni qeverinë dhe me kë? Thaçi: Unë jam duke punuar për krijimin e një qeverie shumëpërfshirëse, integruese dhe shumëetnike, që do të garantonte një funksionalitet në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të vendit. Unë do t'ju shërbej të gjithë qytetarëve dhe i falënderoj ata për besimin e lartë që kanë treguar për vizionin tim, duke shënuar një fitore të thellë të PDK-së në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Kjo është një përgjegjësi shtesë sepse zgjedhjet ishin referendum për qeverisjen time trivjeçare, pra do të bashkëpunoj me spektrin politik shqiptar dhe joshqiptar në mënyrë që të nxjerrim një qeveri të konsoliduar, një qeveri të stabilitetit, një qeveri integruese, që punon për Kosovën evropiane, reformatore, për një Kosovë me sundim të ligjit, për një Kosovë e cila do të afrohet shpejt për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por për një Kosovë që meriton marrjen e liberalizimit të vizave në 15 muajt e ardhshëm. BBC: Sa bukur tingëllon kjo që po e thoni z.kryeministër. Më thoni me kë do t’a formoni qeverinë? Thaçi: Unë do të bëj qeveri me atë spektër që i përgjigjet kushteve apo platformës, prioriteteve që kam prezentuar në fushatën elektorale. Unë kam prezantuar se do të vazhdoj investimet kapitale, tashmë për autostradë veç janë ndarë mjetet, rreth 275 milionë euro, do të vazhdoj për reformat në arsim, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, reformat në shëndetësi, pra do të ketë një qeveri që do të punojë për reformat demokratike për Kosovën evropiane. Prioritetet e mia janë shumë të qarta, janë të një spektri të qendrës së djathtë, pra qeveria do të udhëhiqet prej një spektri që do të garantojë stabilitet, integrim, reforma, shumëetnicitet dhe natyrisht orientim të qendrës së djathtë. BBC: Ndoshta një përpjekje që në qeverinë tuaj të ardhshme të ishin edhe dy aleancat, ajo e z.Haradinaj dhe e z.Pacolli? Thaçi: Mentaliteti i së kaluarës nuk do të jetë në qeverinë time dhe natyrisht edhe aventurier politik nuk do të ketë në qeverinë time, pra do të kemi një qeveri të prioriteteve të qendrës së djathtë. BBC:Po spekullohet shumë për krijimin e një qeverie teknike, përsëritjen e zgjedhjeve në vjeshtë…këtë e ka kërkuar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa. E përjashtoni një mundësi të tillë? Thaçi: Fillimisht zgjedhjet do të mbahen në Prishtinë në vitin 2013. Tani jemi duke e ndërtuar një platformë që t’a kthej identitetin dhe dinjitetin e Prishtinës. Jam duke punuar për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe nuk do të harroj për të ndërtuar Prishtinën, gjithashtu evropiane. Që ta nxjerr nga ky kolaps, nga kjo ngulfatje, nga ky kaos urbanistik, nga kjo keqqeverisje dhe nga papastërtia numër një në Evropë. Nga ky vision i munguar evropian për Prishtinën. Pra, fryma evropiane e Kosovës do t’a përfshijë edhe Prishtinën në një të ardhme të afërt, kjo me një lidership të ri, me qeverisje të re efektive, duke mos u marrë shumë me politikë, por duke u shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit. Kështu që unë do të punoj maksimalisht që në zgjedhjet e ardhshme në Prishtinë, të ketë një alternativë evropiane për Prishtinën evropiane dhe ajo të nxjerret nga një qeverisje e një mentaliteti të së kaluarës. Zgjedhjet janë me mandate katërvjeçar, zgjedhje këto të cilat tashmë e kanë marrë edhe legjitimitetin qyetarë dhe natyrisht edhe mbështetjën e plotë ndërkombëtare. BBC: Kryeministër ,po më thoni se zgjedhjet janë mbajtur për një mandate katërvjeçar të qeverisjds, ndërkohë që kundërshtari juaj politik Isa Mustafa ka deklaruar se ai nuk është i gatshëm t’iu shtrijë dorën e fitorës për këto zgjedhje. Thaçi: Ajo është një dorë e së kaluarës dhe unë i shtrëngoj duart me njsrëzit e së ardhmes për vendin. BBC: Megjithatë ai ka dalë i dyti në këto zgjedhje... Thaçi: Ka dalë siç ka dalë në krye të partisë përmes një revolucioni “jogurt” mund të them dhe të udhëhequrit e partisë në mënyrë demokratike është diçka tjetër dhe mentaliteti i së kaluarës është diçka tjetër. Ndërtimi i së ardhmes së vendit më mentalitetin e së kaluarës, është diçka e pa përballueshme për frymën euroatlantike për të gjithë qytetarët e Kosovës. BBC: Është vlerësuar se ndoshta njëra prej sfidave të mëdha të Hashim Thaçit në vitin 20011 do të jetë edhe përballja me dukurinë, e cila tashmë është cilësuar si dukuria e korrupsionit. Ju keni thënë se do të qeverisni me duar të pastra. Është një sfidë nëse do të themi se ju do të duhet t’i qeroni hesapet me disa nga bashkëpunëtorët tuaj në vitin e ardhshëm? Thaçi: Lufta kundër korrupsionit nuk është punë hesapesh, por është punë e sundimit të ligjit. Ne edhe më herët e kemi zhvilluar një betejë të tillë të ashpër kundër fenomeneve negative, në kuadër të shoqërisë dhe institucioneve kosovare. Natyrisht se motoja jonë do të vazhdoj të jretë “zero tolerancë” ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, kudo që paraqitet, në çdo rrethanë që paraqitet, në çdo nivel që paraqitet, në nivel qëndror, lokal apo edhe në mekanizmat tjerë. Prandaj në këtë drejtim pres edhe mbështetjën e mediave të lira, shoqërisë civile, të të gjithë qytetarëve. Unë falendëroj qytetarët për besimin e patundur të treguar për vizionin tim për të ardhmën evropiane katërvjeçare të Kosovës. BBC: Hashim Thaçi, po thuhet se viti 2011 do të jëtë vit në të cilin Kosova do të duhet t’a përmirësojë imazhin e saj ndërkombëtar dhe t’u ofrohet më shumë strukturave ndërkombëtare. Kam parasysh këtu njohjet e reja dhe ndoshta edhe anëtarësimin e saj në OKB. Thaçi: Unë do të punoj që gjatë 15 muajve të ardhshëm të fitojmë të drejtën e liberalizimit të vizave, që gjatë mandatit të ardhshëm Kosova të jetë pjesë e Natos, dhe unë jam i sigurt për këtë. Gjithashtu që të afrohet sa më shumë me Bashkimin Evropian dhe OKB-në. Është e vërtetë se raporti i Dick Marty-t ka qenë një goditje për imazhin e Kosovës, por ajo deri në ato momente kishte një imazh të lavdëruar dhe të përshëndetur nga gjithë komuniteti ndërkombëtar, si storje e suksesit. Unë kam kaluar nëpër sfida të tilla për vendin dhe popullin tim edhe më parë dhe do t’i tejkalojmë dhe të fitojmë bashkarisht edhe këtë goditje nga “racisti dhe proserbi” Dick Marty. BBC: A po ju zvogëlohen apo po ju shtohen miqtë pas këtij raporti? Thaçi: Miqtë “pro lirisë” dhe pavarësisë së Kosovës janë të gjithë ata që na kanë mbështetur. Me akuza prej më të ultave, unë jam përballur edhe më herët, prandaj në do t’a vazhdojmë punën për integrimin e Kosovës. Përkundrazi ëshë vetëm një mobilizim i ri kundër forcave “anti Kosovë” dhe “anti integrim të Kosovës” në Nato dhe në Bashkimin Evropian. BBC: I përmendët disa suksese të vitit që po e lëmë pas. Ma thoni vetëm një që ju e synoni ta realizoni në vitin 2011. Thaçi: Viti 2011 do të jetë viti për Kosovën evropiane. Viti i reformave demokratike dhe do të jetë viti i liberalizimit të vizave. Do të jemi në muajt e fundit për meritat e liberalizimit të vizave. Do të kemi njohje të reja dhe do të kemi konsolidim dhe forcim të shtetit | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||