|
Krasniqi: Nuk e kam shkelur Kushtetutën | |||||||||||||||||||||||
Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi i ka thënë BBC-së se beson që në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, qytetarët do të jenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre për partinë e preferuar. Por ai nuk përjashtoi mundësinë që individë të caktuar të përpiqen të ndikojnë në përcaktimin e votuesve. Z.Krasniqi u bëri thirrje serbëve, në veçanti atyre në veri, që të shkëputen nga 'politikat e nxitjes, politikat grindavece dhe të ndëshkuara me ligj' dhe të bëhen pjesë e proceseve demokratike në Kosovë. Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, e cila e akuzon atë për shkelje të kushtetutës për shkak të mbajtjes së postit partiak ndërsa ushtron detyrën e presidentit, z.Krasniqi tha se këto kritika janë të pabaza. Me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi bisedoi korrespondentja jonë në Prishtinë, Violeta Hyseni dhe fillimisht i kërkoi vlerësimin për atmosferën parazgjedhore në Kosovë. Krasniqi: Ndoshta atmosfera parazgjedhore në Kosovë kësaj radhe për shkak të kohës së kufizuar që imponojnë zgjedhjet e parakohshme, ka filluar të ndjehet më herët se sa parashihet me ligj, por në përgjithësi po ta marrim është një atmosferë mjaft e mirë, është mjaft stabile. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve si organ i pavarur konsideroj që ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe në këtë rrafsh meriton një përgëzim. Në anën tjetër, partitë politike në përgjithësi më tepër janë marrë me ofertat e tyre, më pak ka pasur një fjalor që do ta kishim vlerësuar si fjalor të vrazhdë. Në përgjithësi mund të them që atmosfera është e mirë dhe unë dëshiroj që kjo atmosferë të vazhdojë dhe të përfundojë deri në ditën e zgjedhjeve. Ky është interesi i qytetarëve të Kosovës, edhe i subjekteve politike, por edhe i kandidatëve që janë në garë për deputetë. Besoj shumë që edhe qytetarët e Kosovës, edhe subjektet politike do të bëjnë kërkesa që të ruhet vullneti i qytetarëve dhe e rëndësishme është që në fund në kutitë e votimit të jetë vullneti i qytetarëve i shprehur qoftë për subjektet politike, qoftë për kandidatët e tyre. BBC: Besoni se kështu vërtetë do të ndodhë, se qytetarët do të jenë të lirë ta shprehin mendimin e tyre në ditën e zgjedhjeve, kjo nëse kemi parasysh edhe thirrjet që kemi pasur edhe nga diplomatët perëndimorë, të cilët u kanë kërkuar subjekteve politike por edhe liderëve politik që të qëndrojnë larg kutive të votimit? Krasniqi: Po vërtetë ndoshta ndonjë individ apo kandidatët që janë për herë të parë, duke u munguar përvoja e zgjedhjeve edhe në të kaluarën, do të përpiqen që në forma të ndryshme, t’i tregojnë zgjedhësve të Kosovës se ata e meritojnë vëmendjen e tyre. Ndoshta në këtë rrafsh mund të ketë ndonjë kandidat që del jashtë kërkesave e procedurave ligjore si dhe jashtë kodit të mirësjelljes, që është i paraparë edhe me ligj, që është nënshkruar para disa ditësh edhe nga subjektet politike të regjistruara edhe në Komisionin Qëndror Zgjedhor. Por besoj që shumica e kandidatëve që kanë një përvojë në zgjedhje, që kanë një traditë, që kanë treguar kualitete gjatë gjithë këtyre viteve, ata do ta ruajnë këtë edhe për faktin që e dijnë se sa më stabile, sa më të lira, sa më të drejta, sa më të ndershme që janë zgjedhjet, përfitojnë ata vet si kandidatë, përfiton Kosova, por realisht përfitojnë edhe proceset demokratike, që janë duke u zhvilluar në Kosovë. BBC: Z.Krasniqi, oponentët tuaj politik ju kanë kritikuar se ashtu si edhe presidenti Sejdiu, edhe ju sipas tyre po e shkelni kushtetutën, duke qenë i angazhuar edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, ku ju jeni sekretar i përgjithshëm. Si i përgjigjeni kritikave të tyre? Krasniqi: Unë i jam përgjigjur kritikave të tyre, bashkë me nenin 88 të Kushtetutës, i cili në asnjë mënyrë nuk më obligon që të heq dorë qoftë nga funksioni publik si kryetar i Kuvendit, qoftë edhe nga funksioni politik në Partinë Demokratike të Kosovës. Neni i parë thotë se presidenti nuk mund ta ushtrojë asnjë funksion tjetër publik. Ushtruesin e detyrës së presidentit e marr nga të qenurit kryetar i Kuvendit të Kosovës. Pra e kam pasur një funksion publik dhe ai përkohësisht më ngarkon me detyrën e ushtruesit të presidentit ose ma mundëson të jem president në detyrë. Paragrafi i dytë thotë: pas zgjedhjes, presidenti jep dorëheqje ose nuk mund të ushtrojë asnjë funksion politik. Kjo do të thotë se unë nuk jam zgjedhur dhe në këtë rrafsh unë jam përpjekur gjatë gjithë këtyre ditëve që të jem përfaqësues i qytetarëve të Kosovës. Edhe atëherë kur kam dalur në ndonjë takim politik kërkesa dhe mesazhet e mia kanë qenë për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, që në kutitë e votimit të jetë vullneti i qytetarëve të Kosovës, pra këtë e kam bërë edhe nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së. Mesazhet e mia kanë qenë për interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për interesin e proceseve politike që janë duke u zhvilluar në Kosovë dhe që sa më shpejtë me këto zgjedhje, Kosova të konstituojë institucionet e veta që dalin nga zgjedhjet dhe që ato të fillojnë marrjen e punëve dhe përgjegjësive që u takojnë me Kushtetutë dhe me ligje. BBC: Z.president, serbët në veri kanë paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës dhe se nuk do të lejojnë hapjen e vendvotimeve në objekte publike. Cili është mesazhi juaj për ata serbë që nuk i pranojnë institucionet e Kosovës e rrjedhimisht as zgjedhjet që i organizojnë ato? Krasniqi: Mesazhi ynë është për të gjithë qytetarët e Kosovës, por në këtë rast do të ndalesha më shumë për mesazhin drejtuar serbëve në përgjithësi në Kosovë e në mënyrë të veçantë për serbët në pjesën veriore. Ne dëshirojmë që gjithë qytetarët serbë ta kuptojnë drejtë realitetin e ri që është krijuar në Kosovë, Kosova është shtet demokratik dhe ajo vazhdon ta ketë një prezencë ndërkombëtare, që është edhe në interesin e qytetarëve serbë të Kosovës. Serbët duhet të largohen nga praktikat politike të së shkuarës, të bëhen pjesë e proceseve demokratike dhe duhet të bëhen pjesë e institucioneve të reja në Kosovë. Bojkotimi i zgjedhjeve, bojkotimi i institucioneve të Kosovës, bojkotimi për të qenë pjesë e këtyre proceseve të rëndësishme në fakt do të shkonte në dëmin e tyre. Ky dëm do të reflektohej në forma të ndryshme, por jam i bindur se qytetarët serbë të Kosovës, shumica e tyre, edhe ata në pjesën veriore janë duke u dëmtuar nga grupe paralele, ilegale, kriminale, të cilët janë duke dëmtuar perspektivën e qytetarëve të asaj pjese. Oferta që e kanë dhënë institucionet e Kosovës dhe oferta që është në këtë rast për të dalur në zgjedhje është një ofertë për të mirën e tyre dhe ne dëshirojmë që ata ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet e Kosovës. Ata duhet të shkëputen nga politikat e nxitjes, politikat grindavece, politikat e ndëshkuara me ligj. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||