BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 01 dhjetor 2010 - 11:54 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Fillon zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë
Prishtina
Në Kosovë edhe zyrtarisht fillon fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, në të cilat marrin pjesë 29 subjekte politike, 8 nga të cilat i takojnë pakicës serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar një numër të madh të vëzhguesve të vendit për zgjedhjet, ndërkohë që ato do të mbikëqyren edhe nga mbi 150 vëzhgues ndërkombëtarë.

Nga mesnata e kaluar edhe zyrtarisht të gjitha forcat politike në Kosovë kanë filluar fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 12 Dhjetorit, e cila këtë vit do të zgjas vetëm dhjetë ditë.

Një numër i subjekteve politike, nga 29 syresh sa marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, kanë vendosur, që nga e mërkura, posterët e kandidatëve të tyre për deputetë, në qytetet e Kosovës.

Janë afro 1300 kandidatë të partive politike që do të garojnë për deputetë të Kuvendit, i cili numëron 120 vende, nga të cilat 20 janë të ndara për pakicat në Kosovë.

Të paktën 8 subjekte politike nga radhët e pakicës serbe janë regjistruar të marrin pjesë në zgjedhjet e dhjetorit, pavarësisht nga thirrjet e Beogradit zyrtar për të mos marrë pjesë për shkak të, siç thuhet, “mos pjekjes së kushteve”.

Autoritetet e Kosovës thonë se do të bëjnë përpjekje për të hapur qendrat e votimit edhe në veriun e Kosovës, të banuar me serbë, por këta të fundit kanë deklaruar se nuk do të “respektojnë zgjedhjet e një vendi të huaj për ta”.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se ka kryer të gjitha përgatitjet për zgjedhjet dhe se ka regjistruar një numër të madh të vëzhguesve vendorë.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit pritet të vëzhgohen edhe nga mbi 150 vëzhgues ndërkombëtarë të një rrjeti evropian të organizatave monitoruese të zgjedhjeve.

Autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe të drejta duke i cilësuar zgjedhjet e dhjetorit si sfidë për vendin.

Drejtues të institucioneve në Kosovë kanë kërkuar respektimin e Kodit të Mirësjelljes për Zgjedhjet që mundëson, siç thuhet, një klimë të tolerancës demokratike.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>