|
Maliqi: Beogradi ka humbur Kosovën si tërësi | |||||||||||||||||||||||
Analisti Shkëzen Maliqi thotë se vija e kuqe në të cilën insiston Beogradi, sa i përket Kosovës, do të ishte kthim prapa dhe vazhdim i agonisë që ka zgjatur disa dekada. Sipas tij, Kosova ka përfituar shumë me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kjo që po ndodh tashti mes Brukselit dhe Beogradit, është një proces i sqarimit përfundimtar të situatës ku Serbia duhet të zgjedhë mes dy opsioneve të papajtueshme - integrimit në BE dhe insistimit për Kosovën. Me zotin Maliqi bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se si i vlerësonte ai ecejaket e fundit diplomatike për ta detyruar Beogradin të ndryshojë rezolutën e vet për Kosovën, të paraqitur në OKB? Shkëlzen Maliqi: Është vërtet i çuditshëm ky insistim i Serbisë që të vazhdojë betejën për Kosovën pasi e humbi davanë në GJND, që vetë e kishte parashtruar. Beogradi ka qenë i paralajmëruar të mos konfrontohet sërish me Uashingtonin dhe sidomos me Bashkimin Evropian, sepse kjo mund ta dëmtojë Serbinë në rrugën e integrimeve evropaine. Por, Beogradi zyrtar mbeti kokëfortë, dhe vetëm ditëve të fundit po jep sinjale se ndoshta do të mund të bëjë një kompromis me Brukselin. Sot (e martë) pasdite Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, do të takohet me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Chaterine Ashton, dhe ka gjasa që në momentin e fundit, para mbledhjes në Kombet e Bashkuara, të arrihet një kompromis ose pajtim i rëndësishëm. BBC: Por, në Beograd është thënë shumë herë se duan të bisedojnë për rezolutën, por se nuk do të bëjnë asesi kompromise përtej 'vijës së kuqe'? Çfarë kompromisi mund të arrihet nëse Beogradi nuk heq dorë nga sovraniteti mbi Kosovën? Shkëlzen Maliqi: Me të vërtetë nuk është e qartë deri ku mund të shkojë fleksibiliteti i Serbisë. Për momentin është esenciale fakti se, si duket, të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë gjetur më në fund gjuhën e përbashkët rreth Kosovës. Projekti i rezolutës kompromise që do t’i ofrohet Beogradit, thuhet se përkrahet edhe nga shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovës. Me gjasë, risia e këtij dokumenti konsiston në atë se vetëm i lë anash dy pjesët problematike në rezolutën e Serbisë, atë ku vihet në pikëpyetje shpallja e pavarësisë së Kosovës, si dhe që negociatat mes Serbisë dhe Kosovës të jenë të hapura për të gjitha çështjet, pra edhe për statusin. Në Serbi dëgjohen komentet se pa këto dy kërkesa rezoluta edhe nuk do të ketë fare kuptim. Por, diplomatët mbase kanë gjetur propozimet që mundësojnë interpretimet e ndryshme, ku edhe Beogradi do të mund të ketë një lloj satisfaksioni për qëndrimet e veta. BBC: Po, ka edhe mendime se Beogradi po shkon deri në fund me qëllim që nesër, në planin e brendshëm, të aryetohet në stilin "kaq mundëm, nuk i bihet murit me kokë". Shkëlzen Maliqi: Beogradi ka mundur ta thotë këtë edhe pas vendimit të GjND-së, por si duket po e sheh edhe një hapësirë manovruese për të kërkuar kompensim. Beogradi është i vetëdijeshëm se e ka humbur Kosovën si tërësi, por mendon se mund të përfitojë diçka nga vazhdimi i bisedave, p.sh. që të ndahet Veriu i Kosovës, ose të sigurohet një autonomi më e gjerë për serbet në veri. BBC: Pjesëmarrja e Prishtinës nuk është shumë e dukshme në këto zhvillime diplomatike. Megjithatë, sipas mendimit tuaj, cilat mund të jenë përfitimet e Kosovës në këtë proces? Shkëlzen Maliqi: Kosova ka përfituar shumë me vendimin e GJND-së, dhe kjo që po ndodh tashti mes Brukselit dhe Beogradit është një proces i sqarimit definitiv të situatës, ku Serbia duhet të zgjedhë mes dy opsioneve të papajtueshme: o do të zgjedhë integrimin në BE duke e pranuar pavarësinë e Kosovës, o do të mbetet këmbëngulëse në qëndrimin se e ka të drejtën sovrane mbi Kosovën. Kuptohet, Kosova nuk mund të bëjë diçka më tepër me forcat e veta, por e ka përkrahjen e Perëndimit, dhe tani sikur është ngjallur edhe procesi i njohjeve të pavarësisë, që për disa muaj ishte bllokuar te numri 69. Pas njohjes nga ana e Hondurasit dhe Katarit, dhe paralajmërimeve për njohje të reja, po fuqizohet ajo traseja tjetër e imponimit të shtetit të Kosovës si një realitet i pashmangshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sa më shumë njohje, aq më i pakthyeshëm bëhet procesi, dhe për aq më shumë edhe do të zbuten dhe zhduken rezistencat që Kosova të bëhet anëtare e barabartë e të gjitha institucioneve ndërkombëtare, duke filluar nga Kombet e Bashkuara. BBC: Të gjithë thonë se Prishtina e Beogradi duhet të bisedojnë, por shtrohet pyetja si do të bëhet kjo, kur të dyja palët insistojnë, siç e përmendët edhe ju më herët, në 'vijat e kuqe' përtej të cilave thonë se nuk dalin? Shkëlzen Maliqi: Mendoj se dy vijat e kuqe janë të pakrahasueshme. Për Kosovën vija e kuqe është Plani i Ahtisaarit, dhe mendoj se ky është dëshmuar si një plan mjaft fleksibël, pasi iu ka dhënë koncesione dhe të drejta bukur të mëdha serbëve të Kosovës. Dhe kjo edhe është dëshmuar në praktikë në ato komuna të reja, ku serbët po integrohen në institucionet dhe sistemin e Kosovës së pavarur. Megjithatë, Kosova ndoshta edhe do të mund të gjente ndonjë mundësi shtesë për fleksibilitet, por kjo nuk do të duhej të cënonte assesi esencën e Planit Ahtisari dhe tërësinë territoriale të Kosovës. BBC: Por, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK), si një organizatë ndërkombëtare me ndikim, ka dalë me një raport të debatueshëm për zgjidhjen e çëshjes së Veriut të Kosovës. Si i shikoni variantet e ofruara nga GNK-ja për zgjidhjen përfundimtare të problemit? Shkëlzen Maliqi: GNK ka pasur në të kaluarën shumë raporte paralajmëruese dhe profetike. Uroj që ky raport të mos jetë i tillë, sepse rekomandon m'u ato solucione që i kërkon Serbia, që revidojnë Pakon e Ahtisarit. Ndarja e Kosovës, ose kompensimi i territoreve është variant i rrezikshëm, sepse me këtë do të afirmohej precedenti i copëtimit të shteteve sovrane, që Serbia dhe Rusia e kundërshtojnë me plotë retorikë, por në praktikë janë shkelës të këtij parimi. Merreni vetëm rastin e dy provincave të Gjeorgjisë që janë pavarësuar me ndihmën e ushtrisë ruse. Kështu, ndarja e Kosovës do të kishte pasoja zinxhirore edhe në rajon edhe në botë. Rasti i Kosovës duhet të mbetet sui generis, sepse është pasojë e shpërbërjes së një federate, e cila ka qenë subjekt i së drejtës ndërkombëtare, dhe po kështu populli i Kosovës i është nënshtruar një represioni të hatashëm shtetëror, që edhe është sanksionuar nga bashkësia ndërkombëtare përmes një intervenimit humanitar. BBC: Megjithatë, edhe vetë sikur thatë se Prishtina mund të detyrohet 'të japë diçka më shumë' se plani Ahtisaari. Është vërtetë e mundshme kjo dhe çfarë mund të japë? Shkëlzen Maliqi: Nëse për këtë do të ekzistonte një pajtim i faktorëve kyç ndërkombëtarë, atëherë ndoshta edhe Prishtina do të bëhej fleksibël, por shpresoj se nuk do të kalohej ‘vija e kuqe” e koncesionit territorial. Por, unë nuk po shoh se SHBA-të dhe BE, kanë një pajtim rreth kësaj. Kështu që Kosova nuk do të duhej të jepte asgjë përtej vijës së kuqe. Mund të tregojë fleksibilitet në ndonjë çështje që nuk e rrezikon stabilitetin dhe integritetin territorial. Për këtë mbase edhe do të duhej të mbahen bisedimet shtesë. Vetëm se asnjë koncesion i ri nuk do të duhej të pranohej pa ndryshimin e politikës së Beogradit, të mos i përkrahë më institucionet paralele serbe në Kosovë, dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës si realitet. Mundet Serbia të mbajë një qëndrim intern se është sovrane e Kosovës, por nuk duhet të pengojë më në asnjë mënyrë pjesëmarrjen e Kosovës në bashkëpunimin rajonal dhe në institucionet ndërkombëtare politike, ekonomike, kulturore deri te sporti. Ndonëse do të ishte më e mira edhe për vetë Beogradin që ta njeh pavarësinë e Kosovës, duke heq kështu një barrë që pengon zhvillimin dhe mirëqenien e vetë Serbisë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||